“A është kthimi kah Rusia ose Kina opsion për Kosovën?”, Kurti: BE-ja është fati jonë

“A është kthimi kah Rusia ose Kina opsion për Kosovën?”, Kurti: BE-ja është fati jonë

Kryeministri Albin Kurti deklaroi të mërkurën se Kosova nuk do t’i ketë sytë kah Rusia e Kina përkundër vonesave nga Bashkimi Evropian për integrim.

Këtë deklaratë e ka bërë pasi ka arritur në Samitin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet në Brdo të Sllovenisë. Kurti duke folur para gazetarëve, u pyet nga këta të fundit “a është kthimi kah Rusia ose Kina opsion për Kosovën”.

“Natyrisht që jo. Ne asnjëherë nuk e kemi marrë as edhe një vaksinë të vetme nga Rusia ose Kina. BE-ja është fati jonë dhe Evropa është kontinenti jonë”, tha lideri kosovar.

Ai tutje bëri thirrje për liberalizim të vizave për kosovarët, ndërsa vonesën e këtij procesi e cilësoi “padrejtësi të madhe të institucioneve evropiane”.

“Kanë kaluar më shumë se tre vjet që kur Komisioni Evropian rekomandoi për të dytën herë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ka qenë një padrejtësi e madhe, mungesë e drejtësisë karshi qytetarëve tanë që kanë vuajtur shumë”, u shpreh shefi i qeverisë.

Kurti bashkë me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor dhe liderët e Bashkimit Evropian pritet të nënshkruajë ndonjë marrëveshje midis BE-së dhe këtij rajoni të Ballkanit.

Në këtë samit për herë të parë një kryeministër i Spanjës, Pedro Sanchez, do të ulet në tavolinë me kryeministrin kosovar meqë për dallim nga hera e kaluar kur në krye të ekzekutivit spanjoll ishte Mariano Rajoy, Spanja ishte larguar nga samiti për shkak të Kosovës në Sofje të vitit 2018./Insajderi.com