Derisa nga Qeveria e Kosovës thonë se i kanë siguruar vaksinat kundër COVID-19, rreth 500 mijë sosh, nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech, ka pasur raportime se kjo mund të mos jetë e vërtetë, të paktën jo tani për tani, njofton Insajderi.
Gazeta “Shneta”, gazetë online që merret me çështje të shëndetësisë, ka raportuar se kanë pasur një prononcim nga menaxherja e Pfizer për rajonin e Adriatikut, Urska Lakner dhe ajo ka deklaruar se “ende nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje për furnizim me vaksina”.
“Kemi pas bisedime me Qeverinë. Për t’u arritur marrëveshja ajo duhet të nënshkruhet. Përderisa ende nuk është nënshkruar nga të dy palët, ne nuk mund ta komentojmë atë”.
Por, më pas, në një konferencë për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka dalur me një deklaratë ku ka konfirmuar të kundërtën.
Ai ka pohuar se “kanë marrë konfirmimin nga kompania amerikane Pfizer për sigurimin e 535 mijë vaksinave kundër Coronavirusit”.
Deri tani, meqë ende nuk ka ardhur asnjë kontingjent me vaksinat në Kosovë, ende mbetet e paqartë nëse vaksinat janë siguruar./Insajderi.com