A jeni ministra në qeverinë e Haradinajt? Nuk jemi… jemi…nuk jemi….

A jeni ministra në qeverinë e Haradinajt? Nuk jemi… jemi…nuk jemi….

Gazeta serbe “Blic” i ka kontaktuar ministrat nga radhët e Listës Serbe në lidhje me funksionet e tyre, pasi ata publikisht kishin dhënë dorëheqje për shkak të arrestimit dhe dëbimit të paradokohshëm të Marko Gjuriqit pasi ai kishte hyrë në mënyrë ilegale në Kosovë.

Mirëpo, këta ministra edhe më tutje janë pjesë e kabinetit të Ramush Haradinajt, i pranojnë ambasadorët, shkojnë nëpër takime në botën e jashtme dhe i kryejnë punët e ministrit, siç thonë, vetëm në “mënyrë teknike”.

Sipas gazetës, zëdhënësja e qeverisë së Kosovës Donjeta Gashi ka thënë se ende nuk ka asgjë zyrtarisht mbi braktisjen e tyre të qeverisë.

Prandaj gazeta Blic i ka pyetur përfaqësuesit e Listës Serbe se a janë ende anëtarë të qeverisë kosovare apo jo?

“Ne jemi vetëm ministra në mandatin teknik. Nuk shkojmë në qeveri”, përgjigjet Ivan Todosijeviq, ministri për pushtetin lokal.

Mirëpo, në sajtin e ministrisë së tij mund të shihen fotografitë e një takimi në Tiranë më 21 prill, në të cilin Todosijeviq ishte si ministër.

“Po, po, kam qenë atje, por vetëm në mandatin teknik”, ka thënë Todosijeviq për Blic, dhe e ka mbyll telefonin.

Ngjashëm është edhe me Dalibor Jevtiqin, ministrin për komunitete dhe kthim. Edhe në sajtin e ministrisë së tij mund të lexohen raportet për takimet e tij me zyrtarë dhe ambasadorë të huaj.

Kështu, për shembull, Jevtiq më 6 prill e ka pranuar Matthew Palmer, u.d. të zëvendësit të sekretarit të shtetit të SHBA për çështje të Evropës dhe të Euroazisë.

Ai gjithashtu më 13 prill në kabinetin e tij ministror e ka takuar ambasadorin e Italisë në Kosovë Piero Cristoforo Sardi.

Në kabinetin e tij thonë se Jevtiq është ende ministër, por në mandatin teknik. Në pyetje se çfarë do të thotë kjo dhe sa do të jetë në këtë status, ata i kanë thënë gazetës, “derisa nuk shpallen zgjedhjet, dhe si do të bëhet kjo, nuk varet nga ai”.

Edhe Nenad Rikalo pretendon se po e kryen punën e ministrit në mandatin teknik, gjegjësisht në dorëheqje. Çfarë do të thotë kjo konkretisht?

“Nuk marrim pjesë në seancat e qeverisë, nuk marrim vendime politike”, thotë Rikalo për “Blic”.

Ai si ministër kohë më parë ka pasur takim me Greg Delawie, ambasadorin amerikan në Prishtinë. Me Delawie dhe Laszlo Markusz i ka vizituar bujqit në komunën e Junikut.

Gazeta e ka pyetur Rikalon, përse edhe më tutje po e kryen punën e ministrit, kur përfaqësuesit e serbëve janë tërhequr nga qeveria, ai thotë se thjesht punën të cilën e ka filluar nuk mund ta lë të pakryer.

“Sa do të zgjasë kjo, nuk e di. Me siguri derisa nuk na i pranojnë dorëheqjet në qeveri”, thotë Rikalo./Insajderi.com.