A ka rrezik që Kosova të largohet nga EQAR-i përfundimisht?

A ka rrezik që Kosova të largohet nga EQAR-i përfundimisht?

Në mars të vitit 2018 ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi me kërkesë të kryeministrit, Ramush Haradinaj kishte shkarkuar anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Ky veprim Kosovës i kushtoi me përjashtim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Në vendimin për përjashtim thuhej se Komiteti i Regjistrit ka konstatuar se pas vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe të u.d. të drejtoreshës së Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, kjo agjenci “ka humbur aftësinë e saj për të vepruar në mënyrë autonome”.

E reagimet të kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj dhe ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi sërish ndaj anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë rrezikojnë që Kosova të përjashtohet nga EQAR (Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë), tash kur në shtator pritet të merret vendimi përfundimtar.

Me largimin nga EQAR-i studentët kosovarë rrezikojnë të mos u njihen edhe diplomat në vendet Bashkimit Evropian.

Për shkak të ndërhyrjeve politike, Agjencia e Akreditimit ishte përjashtuar nga EQAR-i teksa nuk dihet se çfarë statusi do të ketë në ENKA.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arberie Nagavci ka thënë se ndikim politik i ministrit me direktivën e kryeministrit pasojë me vendimin e ENKA-s për përjashtimin e Agjencionit kosovar të Akreditimit nga EQAR.

“…pra ishte një gjë shumë e dëmshme sidomos për të rinjtë tanë të cilët synojnë të studiojnë në vende të ndryshme të BE-së dhe duke pasur parasysh që tash në shtator pritet të merret vendimi përfundimtar – rreziku që të përjashtohet përfundimisht Agjencioni kosovar i Akreditimit nga ENKA është shumë potencial pas këtyre ndërhyrjeve politike”, ka thënë ajo për InDoks.

I të njëjtit mendim është edhe drejtori i ORCA-s, Rron Gjinovci i cili e cilësoi Haradinajn si të papërgjegjshëm edhe në rastin kur vitin e kaluar shkarkoi Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

“Niveli i ulët i kryeministrit por edhe papërgjegjësia e tij institucionale i ka bërë dëme Kosovës në vitin 2017-2018 kur e ka shkarkuar Këshillin e kaluar Shtetëror të Cilësisë për këtë arsye Kosova është përjashtuar prej EQAR-it dhe është degraduar nga anëtar në anëtar në vëzhgim nga ENKA. Këtë vit në shtator pritet të merret vendimi për rikthimin e Kosovës në ENKA e nëse kjo nuk ndodh atëherë diplomat tona do të kenë vështirësi të njihen në hapësirën evropiane të arsimit të lartë”, tha Gjinovci për InDoks.

Edhe Dukagjin Pupovci nga Qendra për Arsim në Kosovë thotë se vendi ynë me këto ndërhyrje politike rrezikon të mbetet jashtë EQAR-it (Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë).

“Ne e dimë që në fillim të mandatit kryeministri bashkë me ministrin e Arsimit e kanë bërë një ndërhyrje të ngjashme kur e kanë shkarkuar herën e kaluar Këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe rezultati ka qenë përjashtimi i Agjencisë nga regjistri evropian i sigurimit të cilësisë nga EQAR-it për faktin që sipas EQAR-it kjo agjenci nuk e plotësonte më standardin e pavarësisë – normal nuk mund të quhesh organ i pavarur nëse dikush mund të shkarkojë vetëm se është i pakënaqur me emrat që janë aty”, ka deklaruar Pupovci për InDoks.

InDoks përmes dokumentarit “Shesim diploma” do të zbulojë prapaskenat e krijimit të këtyre universiteteve publike. Prapaskenat e funksionimit të universiteteve private. Do të zbulohen dokumente të pa para më herët nga publiku. Do të flasin ata që i drejtojnë këto institucione dhe ata që paralajmëruan shumë herët për krimet që po ndodhnin në arsim.