A kanë arritur marrëveshje Haradinaj me Thaçin për dialogun me Serbinë? – deklarohet Zyra e Kryeministrit

A kanë arritur marrëveshje Haradinaj me Thaçin për dialogun me Serbinë? – deklarohet Zyra e Kryeministrit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj ende nuk kanë zhvilluar takime konsultative lidhur me atë se kush do ta marrë përsipër udhëheqjen e dialogut me Serbinë, ndonëse në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese është precizuar se një e drejtë e tillë i takon Qeverisë.

Në konferencën e fundit që mbajti për medie, i pyetur nëse do të pranojë ta përfaqësojë Kosovën në dialog, Haradinaj ka thënë se nuk mërzitet për një gjë të tillë.

Porse nga zyra e tij kanë njoftuar për “Zërin” se kryeministri është i hapur për çdo koordinim paraprak me institucionet e vendit për çështjen e dialogut, edhe pse deri më tani nuk ka arritur koordinim me presidentin Thaçi lidhur me këtë çështje.

Megjithëse në aktgjykimin e Kushtetueses roli i presidentit Thaçi është konstatuar të jetë këshillues, ai po vazhdon ta mbajë rolin e kryenegociatorit në bisedimet me Serbinë.

Madje as nga zyra e tij nuk kanë pranuar të shprehen nëse presidenti do ta respektojë vendimin e Kushtetueses dhe t’ia dorëzojë timonin e dialogut kryeministrit Haradinaj.