A mund ta ndalë dhunën seksuale publikimi i emrave të abuzuesve?

A mund ta ndalë dhunën seksuale publikimi i emrave të abuzuesve?

Rastet e raportuara së fundmi të dhunimeve seksuale – përfshirë atë që ka ndodhur në kryeqytet, ku akti ishte kryer nga pesë burra ndaj një të miture për pesë ditë radhazi – kanë aktivizuar ndërgjegjen e shoqërisë për të kërkuar që emrat e abuzuesve të jenë publik.

Disa përmes protestave, të cilat janë organizuar në qytete të ndryshme, e ca të tjerë përmes një peticioni.

Kryeredaktorja e Grazetës, Eurisa Rukovci, rreth një javë më parë ka nisur një peticion, qëllimi i të cilit është të krijohet një sistem për monitorimin e abuzuesve seksual në mënyrë që komuniteti të ketë siguri më të madhe.

Peticioni deri tash ka mbledhur mbi tre mijë e 500 nënshkrime, ndërsa pas përfundimit do t’i dorëzohet Qeverisë dhe Kuvendit për ta ekzekutuar.

Rukovci në një përgjigje me shkrim për Gazetën Online Insajderi, tha se një regjistër i tillë “siguron parandalim të përgjithshëm të dhunës seksuale sipas studimeve të shteteve ku regjistrat e tilla janë funksional, si p.sh. në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ajo theksoi se regjistri ka për qëllim që emrat e këtyre personave duhet të bëhen publikë, pasi të ketë vendim të prerë nga gjykata.

“Në asnjë mënyrë nuk funksionon regjistri me persona që vetëm janë të akuzuar”.

Edhe Antigona Qenaj-Sejdiu, psikologe klinike, thotë se emrat e personave të dënuar për abuzime seksuale duhet të bëhen publik, pasi sipas saj, përveç se është formë e ndëshkimit, “shërben edhe për qytetarët si masë mbrojtëse”.

“Përveç se i ndëshkon dhunuesit, ne informohemi direkt se me çfarë personi po ndërveprojmë”, deklaron Qenaj-Sejdiu për Insajderi-n.

Sipas saj, një veprim i tillë ka pasoja psikologjike për dhunuesin, “por është metodë e mirë sepse ndikon direkt që personi të mendojë mirë para se të veprojë”.

“Dhe nëse tashmë ka bërë një sjellje të tillë ai do t’i vuajë pasojat e kjo ndikon që veprimi të mos përsëritet”.

Por, ndryshe mendon Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Ajo vlerëson se është herët që emrat e dhunuesve të qarkullojnë në publik.

“Një regjistër i tillë në një aspekt është shumë i mirë, por mendoj që duhet të bëhet pak më vonë. Kjo pasi akoma nuk ka një databazë e cila është funksionale”, tha Demolli për gazetën.

Sipas saj, në Kosovë aktualisht përdoren metoda klasike për t’i përndjekur personat e dënuar për vepra penale të kësaj natyre dhe “nuk ka reagim të shpejtë”.

“Shteti duhet të jetë i përgatitur, të pranojë çdo informacion në lidhje me personat që dënohen për abuzime seksuale”.

Nga Policia e Kosovës në një përgjigje dhënë Insajderi-t kanë njoftuar se gjatë muajve të parë të vitit 2021 janë raportuar 20 ngacmime seksuale, 28 dhunime si dhe 21 sulme seksuale./Insajderi.com