A mund të ushtrojë Osmani pozitën e Kryeparlamentares dhe Presidentes njëkohësisht – Zyra e saj jep sqarime

A mund të ushtrojë Osmani pozitën e Kryeparlamentares dhe Presidentes njëkohësisht – Zyra e saj jep sqarime

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, po ushtron edhe detyrën e Presidentes së Kosovës, që nga dita kur Hashim Thaçi dha dorëheqje nga ky post pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë, njofton Insajderi.

Pas diskutimeve të shumta lidhur me atë nëse Osmani ka të drejtë të ushtrojë edhe pozitë partiake edhe politike, nga zyra për komunikim e presidencës kanë sqaruar se ajo ka të drejtë të ushtrojë mandatin e saj në Kuvend, e njëkohësisht të ushtrojë pozitën e presidentes së vendit me kompetenca të plota kushtetuese.

Në sqarimin e Presidencës thuhet se lidhur me çështjen kur në krye të shtetit është një u.d. Presidente apo President, ka vendosur Gjykata Kushtetuese qysh në vitin 2010, në kërkesën e parashtruar në atë kohë nga U.D. Presidenti Jakup Krasniqi, për të sqaruar nëse i lejohet të mbajë pozicione partiake e politike përderisa është U.D. President.

“Për më tepër, sipas aktgjykimit të gjykatës kushtetuese asaj i lejohet të mbajë edhe pozita partiake. Duke u bazuar ne këtë interpretim U.D. Presidenti i atëhershëm, z. Krasniqi, pat garuar në zgjedhje duke mbajtur njëkohësisht edhe pozita politike edhe partiake. Pra, aktgjykimi ka sqaruar se kufizimet që vlejnë për një President të zgjedhur, sa i përket aktivitetit politik e partiak, nuk vlejnë për U.D. të Presidentit”, thuhet në sqarim.

“U.d. Presidentja Osmani në këtë detyrë është përkohësisht dhe do të kryej detyrat e saj në përputhje të plotë me kushtetutën dhe vendimet e gjykatës kushtetuese”, thuhet tutje.

Para dy ditësh, Osmani është infektuar me COVID-19, për çka njoftoi se do të qëndrojë e izoluar dhe do të kryejë të gjitha detyrat e saj nga shtëpia.

Mirëpo, njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka, kishte thënë se nëse Osmanit i përkeqësohet gjendja dhe ka nevojë për tretman mjekësor, Kuvendi duhet të emërojë dikë në vend të saj. Madje shtoi se tanimë është koha që Kuvendi të fillojë me procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Sëmundja e saj është aksidentale, por mund të pritet që ajo të mjekohet dhe atëherë mbetet çështje e Kuvendit për ta emëruar dikë  si ushtrues detyre i përkohshëm edhe do duhej menjëherë të hapen procedurat për zgjedhjen e presidentit. Edhe ashtu është në afatin e skadencës. Edhe nuk do të duhej kurrsesi që të arrihet të bëhet një marrëveshje politike paraprake për personin e caktuar, se do të ishte në kundërshtim direkt me nenin 70 të Kushtetutës. Do duhej të zgjidhej personi që do të merrte vota, që do të merrte mbështetje në bazë të votave të lirshme e jo të imponuara”, thotë ai.

Mirëpo, Smaka thotë se para se të fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri, duhet të ndryshohet neni 86 i Kushtetutës, respektivisht paragrafi i 6-të i tij.

“Do duhej që brenda muajt të hapet procedura për zgjedhjen e presidentit dhe do të ishte fort mirë që z.Hoti që të hapte një amendament dhe t’ia jepte Kuvendit dhe të bënte ndryshimin e nenit 86, se paragrafi 6 i këtij neni e stimulon dhe e favorizon shkeljen e Kushtetutës për shkak se në raundin e tretë, faktikisht del ajo që duhet zgjidhet medoemos kandidati përndryshe do të shpërbëhej Kuvendi. E shumica e deputetëve nuk do ta kishin rrezikuar postin e deputetit për shkaqe të parimeve të caktuar, por vetëm për shkak se po u shpërndaka Kuvendi”, ka thënë ai për KP.

Kushtetuta e vendit ka paraparë që nëse Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk është definuar për ushtruesin e detyrës së të parit të vendit.

“Neni 90 [Mungesa e Përkohshme e Presidentit] 1. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit”, thuhet në nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës. /Insajderi.com