Marigona Aliu nga Prishtina, e cila është në pritje të bëhet nënë, ka marrë të dyja dozat e vaksinës kundër Coronavirusit.
Ajo është vaksinuar në Amerikë, me vaksinën Pfizer, derisa ishte për pushime atje.
Në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, Aliu tha se përveç dhimbjes normale të krahut, s’ka pasur asnjë simptomë tjetër.
“Dozën e parë e kam marrë në javën e 20-të të shtatzënisë, kurse të dytën në javën e 23-të. Jam konsultuar me specialistë në Kosovë dhe Amerikë, përpara se të marr një hap të tillë”, u shpreh ajo.
E pyetur se pse ka vendosur të vaksinohej në një shtet të huaj, Aliu tha se “kur jam vaksinuar, në Kosovë sa kishte filluar procesi i imunizimit e për mua s’kishte rend”.
Në Kosovë nuk dihet se sa është numri i grave shtatzëna të vaksinuara.
Ajo që dihet është se nga numri total i të vaksinuarve, 48% janë të gjinisë femërore.
Nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për Insajderi-n kanë thënë se të vaksinuarit regjistrohen sipas profesionit, grupmoshës, vendbanimit, gjinisë, “por jo sipas statusit të saj nëse është shtatzënë apo jo”.
Nga ky dikaster kanë bërë të ditur se lidhur imunizimin e grave shtatzëna janë duke u bërë hulumtime dita ditës.
“Por, nuk ka dëshmi që ndalojnë vaksinimin e shtatzënave kundër COVID-19. Ekspertë të ndryshëm në nivel botëror kanë nënvizuar se përfitimet e vaksinimit të shtatzënat ose tek femrat që duan të mbesin shtatzënë i tejkalojnë rreziqet, sepse shtatzënat janë më të rrezikuara nga COVID-19 se femrat e tjera”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Tutje, Ministria ka njoftuar se disa studime sugjerojnë gjithashtu se vaksinat kundër Covid-19 ofrojnë nivel të mbrojtjes edhe për të porsalindurit, për shkak te bartjes se antitrupave nga nëna tek fryti.
“Sidoqoftë, çdo shtatzënë, mbetet të vendosë në konsultim me obstetrin apo gjinekologun që përcjell shtatzënësinë e saj për vaksinim”.
Ndërsa, sa i përket efekteve anësore, nga MSH-ja thonë se “në Kosovë nuk është raportuar për ndonjë efekt serioz nga ndonjë femër apo shtatzënë e vaksinuar deri më tani”.
Se imunizimi kundër Coronavirusit s’ka asnjë efekt negativ për nënën apo foshnjën që mban në bark e thotë edhe infektologu Ilir Tolaj.
Ndërsa, i pyetur se nga cila javë e shtatzënisë është e lejueshme që të merret vaksina, Tolaj tha se nuk ka asnjë kufizim.
“Nuk ka asnjë kufizim për vaksinim me vaksinat anticovid në cilëndo fazë të shtatzënisë, në periudhën e gjidhënies apo në periudhën kur femra planifikon të mbetët shtatzënë”, theksoi Tolaj në një përgjigje me shkrim për gazetën.
Njëjtë mendon edhe mikrobiologu Lul Raka.
Ai përmendi tri elemente që sipas tij duhet të merren në konsideratë kur bëhet fjalë për vaksinimin te kategoritë e veçanta, përfshirë këtu edhe gratë shtatzëna.
“Fillimisht testimi te kjo kategori nuk është bërë dhe rrjedhimisht rezultatet e sigurisë kanë qenë të pamjaftueshme. Por, në botë me qindra mijëra e kanë marrë vaksinën”.
“E dyta: shtatzënat janë më të rrezikuara nga virusi. Dobia që kanë shtatzënat nga vaksinimi: Vaksinimi është i dobishëm sepse e mbron edhe shtatzënën edhe fëmijën, sepse antitrupat kalojnë te fryti, njëjtë edhe të nënat gjidhënëse”.
“Dhe në fund, në shumë vende të botës, vaksinat që janë dhënë nuk ka pasur dëshmi që ka pasur rezultat negativ. Dobia është shumë e madhe se sa dëmi që mund të pësojë”, deklaroi Raka në emisionin “Sot” në KTV.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Jakup Ismajli, tha për Insajderi-n se asnjë nga pacientet e trajtuara me COVID-19 në këtë klinikë nuk ka qenë e vaksinuar.
“Në vitin 2020 kemi pasur 47 lindje, kur në 2021 i kemi 28 lindje të pacienteve pozitive me COVID-19, asnjë nga pacientet nuk kanë qenë të vaksinuara”.
Ai shtoi se vaksina askund në botë s’ka efekt negativ, “por si ndikon te shtatzënat akoma s’kemi ndonjë konfirmim zyrtar nga asnjë institucion relevante”.
“Mbetet në dëshirën e pacientet dhe në konsultim me mjekun e saj nëse dëshiron apo jo të vaksinohet”.
Në fund, Ismajli njoftoi se aktualisht në klinikën që ai drejton është duke u trajtuar vetëm një paciente e infektuar, gjendja e së cilës tha se është stabile./Insajderi.com