Amerika në katër vitet e ardhshme

A ndryshon qasja e SHBA-së ndaj Kosovës nëse Trump fiton edhe një mandat?

"Në shumë pjesë të globit ShBA-ja më nuk shihet lidere e botës së lirë dhe nëse Trump merr edhe një mandat tjetër, ai do të jetë edhe më i trimëruar e më agresiv për shkak të ri-injektimit me legjitimitet popullor sepse fitorja do t’ia forconte bindjen se në mandatin e parë ka bërë punë të mirë".

A ndryshon qasja e SHBA-së ndaj Kosovës nëse Trump fiton edhe një mandat?

“Nëse Trump fiton edhe një mandat do ta ndryshojë karakterin e kombit tonë”.

Kështu kishte alarmuar kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, gjatë fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ish-zëvendëspresidenti amerikan shqetësimin e kishte te humbja e fuqisë së SHBA-ve në arenën ndërkombëtare.

Politika “Amerika e Para” e Trump-it dhe tërheqja nga zona të ndryshme globale, është konsideruar si mundësi e mirë për ta shtrirë influencën e vet vende si Rusia e Kina.

Zvogëlimi i prezencës amerikane në botë, në Kosovë ka ngjalluar shqetësime. Një ndryshim kursi i politikës së jashtme amerikane te kosovarët shpesh është perceptuar si zbehje e mbështetjes.

Edhe sipas njohësit të politikave ndërkombëtare, Shkodran Ramadani, SHBA ka “filluar të shihet ndryshe” në botë.

“Në shumë pjesë të globit ShBA-ja më nuk shihet lidere e botës së lirë dhe nëse Trump merr edhe një mandat tjetër, ai do të jetë edhe më i trimëruar e më agresiv për shkak të ri-injektimit me legjitimitet popullor sepse fitorja do t’ia forconte bindjen se në mandatin e parë ka bërë punë të mirë”, pohon Ramadani për Gazetën Online Insajderi-n.

Megjithatë, përkundër qasjes ndryshe në gjeopolitikë nga administrata Trump, për Agim Rexhepin nga Shoqata Miqtë e Amerikës ideja se “votimet e 3 nëntorit mund të ndikojnë në raportin e SHBA-ve me Kosovën” është e gabuar.

Rexhepi deklaroi për Insajderi-n se SHBA-të kanë strategji afatgjate në përgjithësi dhe se votimet nuk ndikojnë në pozicionin amerikan ndaj Kosovës.

“Në parim politika amerikane karshi Kosovës nuk ndryshon, ngase diplomacia amerikane nuk vepron sikurse diplomacitë tjera e në veçanti sikurse diplomacia kosovare, ngase ata kanë strategji të qarta në staza afatgjata”.

Por, përkundër kësaj, ai sheh një përparësi për Kosovën në rast se fiton kandidati nga Partia Demokratike, Joe Biden.

“Nëse zgjedhet Joe Biden, mendoj që do t’i kemi disa privilegje më të mëdha, sepse Biden ka marrë pjesë në të gjitha proceset politike për dhe rreth Kosovës dhe është dëshmuar si mik i yni”.

Një avantazh të tillë për Kosovën, në rast se Biden del triumfues, e ka parë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një video-incizimi të publikuar më 16 tetor, Kurti thërret që diaspora shqiptare në SHBA të votojnë për ish zëvendës-presidentin amerikan.

Historia e mbështetjes së Kurtit për Biden nuk është momentale e as spontane.

Kurti gjatë mandatit të tij si kryeministër ka pasur “zënka diplomatike” me administratën Trump, specifikisht me emisarin e presidentit amerikan, Richard Grenell.

Kurti ka akuzuar të dërguarin amerikan për dialogun se “dëshiron një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për poena elektoralë të Trumpi-it”.

“Fushata zgjedhore në ShBA po vazhdon”, kishte shkruar Kurti më 5 shtator, në deklaratën kundërshtuese ndaj marrëveshjes ekonomike të Uashingtonit.

Por, sipas Shkodran Ramadanit “Kosova nuk çon peshë në zgjedhjet amerikane, pasi amerikanët janë të preokupuar në çështje të tjera”.

“Argumenti se Kosova po përdoret si karrem në zgjedhjet në ShBA që do të mbahen në nëntor të këtij viti është i paqëndrueshëm. Ky argument thotë se për shkak të mungesës së sukseseve në politikën e jashtme, Trump është i interesuar që ta përdorë marrëveshjen Kosovë-Serbi si arritje të tij. E vërteta është që Kosova nuk përmendet pothuajse fare në debatin e brendshëm në ShBA. Kosova nuk është përmendur në asnjë debat të zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike as nga Biden, as nga (Berine) Sanders apo (Elizabeth) Warren”

“Kosova nuk është temë me të cilën mund të fitohet vota e qytetarëve amerikanë që vazhdojnë të preokupohen nga brenga që kanë të bëjnë kryesisht me situatën brenda, konkretisht me pabarazinë sociale, gjendjen jo të mirë të spitaleve, shkollave e institucioneve tjera publike. Po ashtu, politika e jashtme ka kohë që mbahet larg fushatave zgjedhore për shkak që qytetarët amerikanë mendojnë se ShBA-ja nuk duhet të fokusohet në botë, por në problemet e brendshme”, tha Ramadani.

Megjithatë, Kosova është përmendur në fjalimet e Donald Trump-it gjatë kësaj fushate zgjedhore.

Për këtë Ramadani tha se “Kosova i ka dhënë një ndihmë Trump-it për promovim, duke nënshkruar marrëveshjen”, poqë “pesha e saj në zgjedhje nuk është aq kritike”.

“Faktikisht, ne i kemi ndihmuar Trumpit që marrëveshja të përdoret për reklamë në garë me Joe Biden për postin më të rëndësishëm në botë. Veç tjerash, nuk është e pamoralshme e as e padrejtë politikisht që marrëveshjet e tilla të promovohen si suksese diplomatike të një administrate. Derisa marrëveshja nuk është historike sa u tha, ajo as nuk është dështim për t’u futur nën rrogoz”, tha Ramadani.

Kujtojmë se edhe në zgjedhjet e kaluara amerikane ka pasur inkuadrime nga politikanët shqiptarë.

Hashim Thaçi e Edi Rama kishin shprehur simpati për kandidaten demokrate Hillary Clinton në vitin 2016./Insajderi.com