A po i mbledh VV-ja nënshkrimet për votimin e Osmanit presidente?

A po i mbledh VV-ja nënshkrimet për votimin e Osmanit presidente?

Mediat vendore të premten kanë raportuar se Lëvizja Vetëvendosje ka filluar t’i mbledhë nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për votimin e Vjosa Osmanit presidente.

Por, zëdhënësi për medie i kësaj partie, Arlind Manxhuka, në një përgjigje për Insajderi-n ka thënë se nuk është i informuar.

“Mediat po raportojnë, por unë nuk jam i informuar. Akoma nuk mund të them diçka zyrtare”, pohoi ai.

Sipas mediave, seanca pritet të mbahet sot (e premte).

Lëvizja Vetëvendosje fillimisht duhet ta dorëzojë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, nga ku vendoset për mbajtjen e seancës.

Vjosa Osmani aktualisht është kandidatja e vetme për presidente të vendit.

Ajo në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka garuar në listë të përbashkët me LVV-në. Kjo e fundit ka arritur të marrë mbi 50 për qind të votave, ndërsa Osmani ishte më e votuara me mbi 300 mijë.

Për të zgjedhur presidentin, në votimin e tretë duhet të jenë 80 vota minimum, me 61 prej tyre pro një kandidati. Vetëvendosje ka 58 vota, ndërsa pritet t’i ketë edhe 8 të tjera nga minoritetet jo shumicë. Bashkë me to, i duhen minimum 14 vota nga LDK-ja për të siguruar kuorumin e nevojshëm./Insajderi.com