A po praktikohet ende falja e gjakut me Kanun në Kosovë?

A po praktikohet ende falja e gjakut me Kanun në Kosovë?

Pavarësisht që ekziston dhe funksionon ligji në Kosovë, ende në familjet kosovare bëhet pajtimi dhe falja e gjakut përmes Kanunit, shkruan Insajderi.

Së fundmi janë dy rast që nuk kanë ndodhë shumë larg njëra tjetrës, ku familjet falin gjakun e të vrarëve. Për arsyeje kanunore apo për arsyeje tjera nuk dihet. Një rast i sotëm ku u falë gjaku i një 28-vjeçarit u mohua se vazhdon të zbatohet Kanuni në rastet e vrasjes.

“Nuk është mirë me u përdorë ende Kanuni. Ne po i falim gjakun dhe nuk do të kenë probleme me familjen tonë”, tha një familjar i 28-vjeçarit që vdiq dje.

Para më shumë se një muaji një aksident tragjik ndodhi në Gjilan, ku shoferit të një kamioni i prishen frenat dhe në pamundësi të ndaljes së automjetit ia merr jetën një personi e po ashtu shkakton shumë dëme materiale.

Qerim Çoçaj, mbeti i vdekur nga shoferi i kamionit të kompanisë së “Ujit i Pejës”. Pas mbylljes së të pameve, familja Çoçaj  në sallën e Kuvendit Komunal të Komunës së Gjilanit ia falën gjakut familjes Avdijaj – familja e djalit që shkaktoi aksidentin.

Gjithçka ndodhi nën ritet e zakoneve kanunore. Madje aty ishte edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Gjilanit Naim Aliu.

Në sallën e Kuvendit Komunal, Refki Çoçaj, në prezencën e kryetarit Lutfi Haziri, ndërmjetësuesit Fetah Bekolli e kryetarit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, Naim Aliu, ia pati zgjatur dorën e pajtimit dhe të faljes familjes së Sokol Avdiaj nga Peja, duke thënë se “Për nder të të madhit Zot, të shpirtit të babës, të edukatës që ai na ka dhënë neve, ju qoftë falë gjaku i babës”.

Pas këtij rasti, falja e gjakut nuk shkoi shumë larg dhe u bë sot edhe në Mitrovicë.

Atje u fal gjaku i 28-vjeçarit Visar Behrami, i cili mbeti i vdekur mbrëmë, pasi u zu nën rrënojat e hotel “Adriatikut”. Gjetja e trupit të tij zgjati mbi 6 orë, ndërsa objekti nuk kishte leje për renovim dhe çdo gjë ndodhi jashtëligjshëm.

Familjarët e Visar Behramit, ia falën gjakun e tij familjes së pronarit të objektit, Ismet Osmanit, i njohur si “Curri”.

Lavdim Behrami, familjar i punëtorit që ndërroi jetë, ka thënë se në Kosovë nuk duhet të funksionoi më Kanuni, ani pse ka potencuar se familja e tij ia ka falë gjakun dhe sipas tij nuk do të ketë probleme mes dy familjeve lidhur me këtë rast.

Falja e Gjakut dikur në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare cilësohej si diçka e shenjë. E krejt kjo bëhej për një arsye.

Po sjellim më poshtë një shkrim se çfarë ndodhi plotë 29 vite më parë, kur falja e gjakut ishte më aktuale se kurrë ndër trojet shqiptare.

Më 1990 Kosova po niste ndryshimet e mëdha drejt realizimit të aspiratave të saj. Masa ishte elektrizuar. Dhjetëra veta ishin vrarë në demonstratat e organizuara në vitin 1989- 90 nëpër qytetet e Kosovës kundër suprimimit të autonomisë nga ana e Serbisë. Të rinjtë tanë nuk ndaleshin, ishin në ballë të atyre demonstratave. Ishte koha për bashkim dhe përgatitje për zhvillime edhe më të rënda. Lufta po trokiste në derë dhe populli duhej bërë gati. Më shumë se kurrë tani shqiptarët ishin të bashkuar. Por kishin një barrë të rëndë mbi supet-hakmarrjen, e cila ende ishte mjaft e theksuar në ambientet shqiptare në Kosovës. Madje, kishte raste kur të rinj të familjeve të hasmëruar ishin krah për krah në demonstrata. Po si lindi ideja për të çrrënjosur këtë të keq të madhe që rëndonte mbi shoqërinë shqiptare. Ishte pikërisht vetëdija dhe morali i lartë i të rinjve që tashmë ishin drejtuar drejt rrugës për çlirimin e Kosovës. Ishin të rinjtë e Pejës ata që ndërmorën këtë nismë, e cila pastaj shumë shpjet u përhap në mbarë Kosovën.

Profesor Anton Çetta, në Pajtimin e gjaqeve në Raushiq të Pejës pati thënë:

”Burra!
Ndoshta ju keni dëgjuar për këtë ”Misionin” tonë, për këtë ”Aksionin” tonë. Aksione që kanë qenë të përsëritura herë pas here në historinë e shqiptarëve, m’u atëherë kur ka qenë gjendja më e vështirë, kur kanë thënë:
– Hajdeni burra, po bâjmë diçka!
M’u në drjetimin e pajtimit të gjaqeve.
E di! M’ka ra më ndie në kohën e Lidhjës së Prizrenit (1878), Sylejman Agë Vokshi – ka qenë si njëfarë ministri i ushtrisë, që e kishte sigurinë në dorë dhe me një anë ka pasë ndalue të gjitha gjaqet, besë-lidhjet, kanë qenë të pazbatueshme e as gjakmarrja e në anën tjetër ka formue edhe Islihat-in* (Pleqësia për Pajtimin e Gjaqeve)!” – tha prof. Anton Çetta.

Por, kaq vite pas, duke qenë se në Kosovë ekziston Kushtetuta si akti më i lartë juridik i një shteti, ekziston ligji dhe institucionet ligjore, a duhet të ketë ende falje të gjakut dhe a duhet njerëzit të kenë mbi supe ende frikën e vella-vrasjes!/ Insajderi.com