AAK do ta shqyrtojë në struktura deklaratën e Isa Mustafës për ndryshime eventuale në Qeveri

AAK do ta shqyrtojë në struktura deklaratën e Isa Mustafës për ndryshime eventuale në Qeveri

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta shqyrtojë në strukturat e larta deklaratën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për rikonfigurime potenciale në Qeverinë e Kosovës.

Kështu ka thënë deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, kur është pyetur nga Insajderi.com rreth asaj që shkroi Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.

Lideri i LDK-së në postimin e tij nënvizon se politikat qeverisës duhet të jenë të bashkërenduara me kryeministrin, ndryshe LDK-ja mund të kërkojë ripozicionime brenda koalicionit qeverisës.

“LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike”.

Përmbajtja e statusit të Mustafës nga Selmanaj është parë si “zhvillim i ri”, prandaj ai tha për Insajderi-n se “do të shqyrtohet në struktura të larta të AAK-së”.

Mospajtimet në mes partnerëve të koalicionit kanë filluar pas pakënaqësisë që kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka shprehur ndaj qasjes që kryeministri, Avdullah Hoti, e ka treguar në dialogun Kosovë – Serbi./Insajderi.com