Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, lidhur me vendimin e marrë dje nga Qeveria e Kosovës për shtesat e pensionistëve, njofton Insajderi.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, këtë veprim e ka cilësuar skandaloz, duke thënë se preket drejtpërdrejt kategoria më e rrezikuar sociale nga pandemia.
“Kemi thirrë konferencë të jashtëzakonshme për të alarmuar oponionin publik për vendimin e marrë dje nga Qeveria e Kosovës për të ia hequr shtesat pensionistëve”, ka thënë Tahiri.
“Ky është vendim skandaloz dhe që preket drejtpërdrejt kategoria më e rrezikuar sociale e pensionistëve. Po flasim për veprime të papërgjegjshme nga një Qeveri pa plan organizativ”, ka thënë ai.
Ndërsa, nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi, ka kërkuar që ky vendim të anulohet menjëherë.
“Ky veprim i Qeverisë është në vazhdën e gabimeve të mëhershme që ka bërë. Ne kërkojmë që ky vendim të anulohet menjëherë. Ka segmente të tjera ku Qeveria mund të kursehet, sidomos në pjesën që dikur e ka quajtur luksoze. Po ashtu, edhe kursime të tjera që mund të bëhen në qeverisje, por jo me kategoritë e rrezikuara”, ka thënë ai. /Insajderi.com