AAK e gatshme të takohet me Kurtin rreth dialogut

AAK e gatshme të takohet me Kurtin rreth dialogut

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti për t’u takuar para rifillimit të bisedimeve me Serbinë, që pritet të ndodhë në qershor, njofton Insajderi.

Para mediave, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, deklaroi se konsultimi me partitë politike parlamentare është shumë i rëndësishëm.

Ai theksoi se qëndrimi i partisë së tij është i qartë, se në lidhje me këtë proces askush nuk e ka ekskluzivitetin.

“AAK e konsideron shumë të rëndësishëm konsultimin paraprak me partitë parlamentare dhe informimin në Kuvend dhe trajtimin e kësaj teme në mënyrën më serioze të mundshme. Askush nuk ka ekskluzivitet në këtë proces, dhe çështja duhet të trajtohet me seriozitet”, tha Tahiri në konferencë për media, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit./Insajderi.com