
Deputeti i Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka informuar se partia e tij e mbështet protestën që kanë thirrur infermierët e Kosovës, njofton Insajderi.
Dreshaj pohon se infermierët duhet të jenë heronj në vepër dhe jo vetëm në letër.
“Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 e deri më sot, infermierët dhe i gjithë stafi shëndetësor ka bërë punë vetëmohuese. Kërkesat e tyre drejtuar Qeverisë së Kosovës janë krejtësisht të drejta”, ka shkruar Dreshaj në Facebook.
Ai tutje ka thënë se Qeveria duhet sa më parë të ndajë buxhet për rritjen e pagesës së ndërrimeve të natës për infermierë, pagesën e punës gjatë vikendeve, orët shtesë të punës si dhe pagesën e rrezikshmërisë në punë.
Dreshaj ka theksuar se Qeveria sa më parë duhet të sjellë në Kuvend Ligjin e Pagave.
“AAK ka qenë gjithmonë pro këtij ligji. Përmes Ligjit të Pagave duhet t’u mundësojmë kushte të dinjitetshme infermierëve tanë. Infermierët tanë duhet të jenë heronj në vepër e jo vetëm heronj në letër”.
Ai ka folur dhe për shtesat e infermierëve që janë ndaluar dhe tha në vend të saj po paguhet rryma për serbët në veri. “Ka qenë dashtë të ndodhte e kundërta”.
Dreshaj ka thënë se Qeveria shkelur mbi parimin e barazisë së qytetarëve dhe legalizuar krimin në ver, me ndaljen e shtesave me arsyetimin se nuk ka buxhet, ndërsa mori vendim që t’i paguajë 11 milionë euro serbëve në veri për rrymën e shpenzuar.
“Infermierët dhe i gjithë stafi shëndetësor janë heronjtë e ditës së sotme dhe ata meritojnë të trajtohen dinjitetshëm”, ka përfunduar Dreshaj. /Insajderi.com