AAK fajëson direkt kryeministrin për ndalimin e Haradinajt

AAK fajëson direkt kryeministrin për ndalimin e Haradinajt

Dy zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë akuzuar Qeverinë dhe kryeministrin për atë se çfarë i ka ndodhur liderit të partisë së tyre, Ramush Haradinaj.

Derisa tek nesër do të dihet fati i Haradinajt, nëse do të ekstradohet apo lirohet, Lahi Brahimaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se Institucione shtetërore të Kosovës kanë pasur njohuri të sakta se kush është pjesë e listës së INTERPOLIT, mirëpo nuk u kanë treguar partive politike e as deputetëve.

Brahimaj ka thënë se këto institucione gjithashtu e kanë ditur se nga lista e INTEPORLIT janë larguar 137 persona, nga 157 sa ishin gjithsej dhe në listë tashmë janë vetëm 20 persona.

“Këtë gjë e ka konfirmuar përmes një interviste tre javë para se të arrestohej Haradinaj, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa. I pari në listën e 20 personave tash është Ramush Haradinaj”, ka thënë Brahimaj, i cili ka pohuar gjithashtu se ai dhe partia e tij tashmë e posedojnë këtë listë.

Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se nuk guxon të thotë që ka konspiracion prej Kosovës për ta mbajtur Ramush Haradinaj në paraburgim.

“Mundem të them, megjithatë se kryeministri Mustafa ka provuar të inkriminojë Ramushin për çështjen e Radoniqit, për të cilin është gjykuar në Hagë. Nuk i takon të sillet në këtë mënyrë një lider shtetëror”, tha Gjininë emisionin ‘Rrokum Roll’ në TV Rrokum.

Ai gjithashtu theksoi se nuk i takon as presidentit Thaçi t’i përmend rastet e vrasjeve të dëshmitarëve, duke thënë se për këtë e kemi Gjykatën Speciale./Insajderi.com