AAK i quan “shpifje” akuzat e qeverisë lidhur me shpronësimet

AAK i quan “shpifje” akuzat e qeverisë lidhur me shpronësimet

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka quajtur “shpifje” dhe “propagandë” akuzat e ministrave të Qeverisë Kurti lidhur me shpronësimet në rrugë në kohën kur në krye të ekzekutivit ishte lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj.

Të martën, ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se vlera e shpronësimeve për rrugën Kijevë – Zahaq është rritur për 12 milionë euro, ndërsa të mërkurën ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se “ky është vetëm fillimi i denoncimit të keqpërdorimeve me shpronësime”.

Por, sipas AAK-së, këto akuza janë “përpjekje për ta tërhequr vëmedjen e opinionit me gënjeshtra”.

Zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka, i ka quajtur “mashtrues” Muratin dhe Aliun, duke thënë se po të ishin “ministra hakikat” do t’i dërgonin pretendimet dhe dyshimet në prokurori.

“Pse kanë nevojë këta mashtrues të merren me çështje të cilat janë prerogativë ekskluzive e organit të akuzës? Apo veç kujtojnë se me shpifje e me gënjeshtra publike kanë arritur qëllimin? Jo, kjo nuk do të kalojë dhe do të përgjigjen një për një për krejt rrenat publike!”, ka shkruar ai në Facebook./Insajderi.com