AAK kundër shtyrjes së zgjedhjeve, pro shkurtimit të fushatës

AAK kundër shtyrjes së zgjedhjeve, pro shkurtimit të fushatës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qëndrim parim që zgjedhjet lokale në Kosovë të mbahen brenda afatit ligjor të përcaktuar.

Kështu ka bërë të ditur deputeti i kësaj partie, Shemsedin Dreshaj, i cili tha se AAK-ja është pro shkurtimit të kampanjës zgjedhore prej pesë ditësh.

Dreshaj, i cili njëkohësisht me profesion është infektolog, tha se situata aktuale ma pandeminë COVID-19 në të cilën gjendet Kosova “nuk është aspak e lakmueshme, por që procesi zgjedhor duhet të bëhet duke i respektuar masat e përcaktuara”.

“Nuk janë zgjedhjet e para që mbahen në Kosovë. Kemi raste që janë organizuar gjatë pandemisë, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, dhe asnjëri prej tyre nuk e kanë bërë ftesën për zgjedhje të mëvonshme, por është kërkuar të respektohen masat parandaluese, të kemi kujdes në përhapjen e virusit dhe masat për kujdes individual dhe kolektiv”.

Ndërsa, sa i përket fushatës zgjedhore, deputeti i AAK-së theksoi se duhet të organizohet në forma të ndryshme, jo vetëm me kontakt fizik.

“Masat e rekomanduara janë që të parandalohet më e keqja. Për kontakte fizike, secili subjekt politik e kandidat për asamble e di se duhet t’i respektojë masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”.

“Pandemia nuk do të duhet të ishte subjekt që të ndërpriten ose shtyhen zgjedhjet sepse s’dihet sa do të zgjasë kjo situatë. Po na bëhen gati dy vjet pandemi dhe s’e dimë se kur do të jetë afati i përshtatshëm për zgjedhjet. Secili subjekt politik duhet të ketë guxim për organizmin e një kampanje të ndershme me respektimi e masave parandaluese”, deklaroi Dreshaj.

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 17 tetor./Insajderi.com