AAK mbledh nënshkrimet e nevojshme për seancë të jashtëzakonshme kundër heqjes së taksës

AAK mbledh nënshkrimet e nevojshme për seancë të jashtëzakonshme kundër heqjes së taksës

Grupi Parlamentar i AAK-së ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila do të mbrojë taksën e vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e Bosnja.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha nënshkrimet janë dhënë nga tri partitë opozitare dhe tani pritet vetëm caktimi i datës për seancë.

Paralajmërimet e AAK-së se do të kundërshtojnë në çdo formë heqjen e taksës dhe zëvendësimin e saj me masa të reciprocitetit, tashmë kanë marrë një drejtim me mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Teuta Haxhiu, nga AAK-ja, sqaron për Radio Kosovën se tashmë kanë nënshkrimet e deputeteve nga tri partitë opozitare për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme.

“Nënshkrimet i kemi mbledhur me tri partitë opozitare, AAK-ja, PDK dhe Nisma, dhe do të dakordohemi për ditën, sigurisht se gjithçka do të jetë në pajtim me të tri subjektet opozitare, sot nuk do të jetë por ajo që është me rëndësi ne jemi bashkë për shkak të interesit të vendit, e jo interesi ndonjë subjekti politik”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu thotë se përmes Kuvendit do të mundohen të ngritim zërin pasi po preket interesi i Kosovës. Ajo kërkon nga kryeministri i Kosovës të sqarojë se cilat do të jenë përfitimet e vendit me paralajmërimet për heqje të taksës:

“Kemi marrëveshje të nënshkruara dhe ato asnjëherë Serbia nuk i ka jetësuar, atëherë për çfarë reciprociteti po flasim, mirë është me dalë me na tregu pse ai po bën një hap prapa derisa paralajmëron reciprocitet mbi taksën”, ka shtuar ajo.

Deputetja Haxhiu tha se do të jenë në koordinim me subjektet opozitare se a do të ketë rezolutë apo ndonjë vendim që do të kundërshtonte heqjen e taksës pa ndonjë garanci që nuk preket interesi i Kosovës.

Tashmë pritet Kryesia e Kuvendit ta shqyrtojë kërkesën e 40 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme dhe ta caktojë mbajtjen e saj. /Insajderi.com