AAK nuk tërhiqet që Haradinaj të jetë president

AAK nuk tërhiqet që Haradinaj të jetë president

“Çështja e presidentit është tani më veç legjitime për shkak të situatës aktuale që është në Hagë. Besoj se koalicioni do të gjejë forma për zgjedhjen e presidentit. AAK-ja e ka dhënë kandidaturën për kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”.

Kështu tha, Gazmend Abrashi, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, rreth postit të presidentit i cili tani është i lirë për shkak të dorëheqjes së Hashim Thaçit pas konfirmimit të aktakuzës.

Ai për EO tha se shpreson që deputetët ta përkrahin Haradinajn për president pasi është kandidat konsensual.

“Shpresoj që ky kandidat do të përkrahet nga deputetët e parlamentit të Kosovës. Sipas mendimit tim është kandidati më konsensual i mundshëm që mundet me qenë, por besoj që në ditët dhe muajt në vijim do të procedojmë edhe çështjen e presidentit”, tha ai.

Çështja e presidentit është aktualizuar pas dorëheqjes së Thaçit pasi u thirr në Hagë nga Gjykata Speciale. A sipas Abrashit imazhi Kosovës është përkeqësuar dhe sipas tij pozita dhe opozita duhet të bashkohen për shkak të situatës.

“Mendoj që përkundër situatës të ashtuquajtur të jashtëzakonshme që e kemi për shkak të Speciales përgëzoi qytetarët për një urtësi, maturi përkundër ngjarjeve të Speciales. Kur është votuar Specialja AAK-ja nuk e ka votuar. Unë besoj që krerët politik që gjenden në Hagë do të vërtetojnë që ka qenë luftë mbrojtëse, çlirimtare dhe nuk e kam dyshimin që e njëjta do të vërtetohet, por që nevojitet kohë”.

“Jemi në situatë kur imazhi i Kosovës është i përkeqësuar dhe mendoj që i gjithë spektri politik pozitë dhe opozitë duhet të jenë të bashkuar për shkak se në të njëjtën kohë problemin e kemi edhe me Covid-19, ku situata është duke u përkeqësuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rruzullin tokësor”, theksoi deputeti. /Insajderi.com