Sipas partisë e cila drejtohet nga Ramush Haradinaj; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – vendimi i Presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës është “tentim për vendosjen e autokracisë”.
Daka të hënën u shkarkua nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – të cilën e mbajti që nga viti 2008.
“Sulmi në institucionet e menaxhimit të zgjedhjeve, është tregues i tentimit për vendosjen e autokracisë, fenomen për të cilin Aleanca ka tërhequr vërejtjen shumë kohë më parë”, thuhet në reagim e AAK-së.
Në kumtesë thuhet se “këto veprime jodemokratike” duhet të marrin fund.
“Ky është tregues i qartë i mënyrës së qeverisjes qe po tentohet të instalohet në vendin tonë. I bëjmë thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës që të ndalojë përpjekjet për kapjen e shtetit dhe arrogancën e numrave”.
Pos AAK-së, kanë reaguar edhe dy partitë e tjera opozitare; Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
E gjithë opozita parlamentare shkarkimin e Dakës e cilësojnë si “rrezik për demokracinë”. /Insajderi.com