AAK pezullon aktivitetin zgjedhor në Deçan për nder të Kadrijajt

AAK pezullon aktivitetin zgjedhor në Deçan për nder të Kadrijajt

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pezulluar aktivitetin zgjedhor për dy ditë në shenjë respekti për vdekjen e ish-kandidatit për kryetar të Deçanit nga Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2017, Blerand Kadrijaj, njofton Insajderi.com.

Kështu bëri të ditur kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili tha se nuk është dita që të flitet për vota pas ngjarjes tragjike që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Pejë, ku përveç Kadrijajt mbet i vrarë edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj.

“Në shenjë nderimi për bashkëvendësin tonë, ish-kandidatin për Kryetar të Deçanit, z.Blerand Kadrijaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, në Deçan, e pushon gjithë aktivitetin e saj për dy ditët e ardhshme. Kjo në shenjë nderimi për Blerandin, familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë qytetarët e komunës sonë”, ka shkruar Ramosaj.

“Sot nuk është dita të flasim për vota. Sot është ditë pikëllimi për Deçanin! Sot lutem për shpirtin e Blerandit dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, Kadrijaj nga Rastavica, gjithë bashkëvendësit, miqtë, kolegët dhe gjithë qytetarët e Deçanit! Lusim Zotin t’iu jap durimin familjeve të përballojnë këtë dhimbje të madhe”, tha më tej ai.

Vrasja e dyfishtë që ndodhi të mërkurën mbrëma në qytetin e Pejës, ku mbetën të vdekur dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, ka ndodhur për shkak të një konflikti që dy viktimat kishin mes vete.

Kështu bëri të ditur dje kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili shtoi se ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një konflikt të mëhershëm ose të çastit. /Insajderi.com