Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka, pas mbylljes së zyreve të kësaj partie në këtë komunë duke theksuar se “pushteti i Haskukës ka mbyllur zyrën pa prezantuar fletë poseduese”, njofton Insajderi.
Sipas tyre, “në këtë mënyrë pushteti i Haskukës, që është në muajt e fundit të tij, po provon që me represale të ndalojë zërin e opozitës”.
AAK ka shtuar se kjo mënyrë e sjelljes së kryetarit të komunës, “që ngjason me metodat moniste, assesi nuk do ta trembë Aleancën që të paraqes realitetin e qeverisjes së Vetëvendosjes me Prizrenin, e që kryefjala e saj është: Dështim i plotë”.
“Duke qenë se Aleanca respekton institucionet, edhe pse të njëjtat nuk kanë ofruar dokumentacion të mjaftueshëm, ne kemi lëshuar zyrat, ndërsa shumë shpejt do të vendosemi në hapësira të tjera”, thuhet në njoftimin e kësaj partie në Facebook.
AAK ka shtuar se do të ankohen “për këtë veprim arbitrar”, sepse janë të bindur që drejtësia është në anën e tyre.
Kurse, sipas një njoftimi për media, thuhet se shefi i Grupit të asambleistëve të Aleancës në Prizren, Ilir Baldedaj, është shprehur se këto zyre nuk janë pronë e Komunës, por që e kanë respektuar vendimin dhe i kanë liruar zyret.
“Për procedurat tjera do të shihemi në gjykatë”, tha Baldedaj, duke theksuar se kanë tentuar të kenë një marrëveshje me komunën, por se ky ka qenë një vendim i prerë. /Insajderi.com