Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, sapo kishte marrë lajmin se vendimi për vëllanë e tij, Ramush Haradinaj, ishte shtyrë për 27 prill, dhe shfrytëzoi një paraqitje televizive për të dhënë një kërcënim të pastër, në rast se gjykata franceze vendos ta ekstradojë në Serbi.
“Munden me na fut në luftë, asgjë tjetër. Unë nuk e di për të tjerët, por unë e di për vete se në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, atëherë të bëhen gati për tema më serioze. Nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare”, kishte thënë Haradinaj për RTV Dukagjini.
Deputeti i AAK-së që ka paralajmëruar kandidaturën për kryetar të Deçanit në zgjedhjet e këtij viti, përmendi minoritetin serb si komuniteti që të vuaj pasojat e një vendimi të mundshëm të gjykatës në Collmar të Francës për ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi.
Një deklaratë e tillë ngjalli reagime të ashpra nga Ambasada Amerikane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë të cilët e kanë konsideruar një deklaratë të tillë si kërcënuese për minoritetin serb.
Por pavarësisht se deklarata luftënxitëse e deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, është dënuar nga Ambasada e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës insiston se ekstradimi i Ramush Haradinajt në Serbi “do ta trazoj Kosovën”.
Kërcënimet për luftë të deputetit të AAK-së Daut Haradinaj në rast të ekstradimit të ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në Serbi, i ka konfirmuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj.
Lekaj, në një bisedë me Insajderin, ka thënë se “AAK nuk ka asgjë kundër serbëve lojal të Kosovës” por ka shtuar kërcënimet derisa është shprehur se “Kosova do të destabilizohet” në qoftë se Haradinaj ekstradohet në Serbi.
“Nëse ndodh ekstradimi i Ramush Haradinajt në Serbi, le ta dijë çdo njeri se atëherë nuk ka çfarë të pritet, sepse Kosova do të jetë ndryshe, por edhe rajoni”, ka thënë Pal Lekaj në një bisedë me Gazetën Insajderi.
Sipas Lekajt, komuniteti serb në Kosovë është njëri ndër komunitetet me më së shumti të drejta në rajon. Ish-kryetari i Komunës së Gjakovës është shprehur se “destabilizimi nuk do të ndodh me qytetarët lojal serb të Kosovës”.
“Ne do ta trajtojmë barabartë [komunitetin serb të Kosovës], por nuk do të lejojmë që dikush të bëjë hajgare me gjeneralët tanë”, ka thënë Lekaj.
Ai ka shtuar se arrestimi i liderit të AAK-së në Francë, është “puro politik”.
Reagimet e zyrës së BE-së dhe Ambasadës amerikane në Prishtinë
Deklaratat luftënxitëse të deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, i kanë dënuar edhe partnerët ndërkombëtar të Kosovës.
Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie në ditën e Kushtetutës së Kosovës, më 8 prill, reagoi ndaj deklaratës së Daut Haradinajt.
Sipas Delawie, përdorimi i gjuhës së rrezikshme nuk ka vend në Evropë, transmeton Klan Kosova.
“Në festimin e ditës së Kushtetutës së Kosovës, një politikan kërcënoi me spastrim etnik. Një gjuhë kaq e rrezikshme nuk ka vend në Evropë”, shkroi Delawie në Twitter.
Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. BE-ja, përmes zyrës së saj në Kosovë, ka dënuar deklaratat që “kërcenojnë komunitetet” në Kosovë.
“BE dënon deklaratat që kërcënojnë komunitetet dhe Kosovën multi-ektnike. Këto nxisin urrejtje ndaj komuniteteve të minoritetit dhe pengojnë pajtimin dhe dialogun”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian në Twitter.
Deklaratat e tilla dëmtojnë procesin gjyqësor ndaj Haradinajt
Analisti politik Imer Mushkolaj i ka parë si të panevojshme deklaratat e AAK-së rreth “mundësisë së luftës” në rast se ndodh ekstradimi i Ramush Haradinajt në Serbi.
Sipas Mushkolajt, shteti i Serbisë i shfrytëzon këto deklarata për të ndërtuar propagandë kundër Kosovës.
“Deklaratat e tilla Serbia i shfrytëzon për propagandë kundër Kosovës, duke i konsideruar si kërcënim për spastrim etnik të serbëve. Ramush Haradinajt dhe Kosovës i ndihmojnë deklaratat e veprimet e matura, e jo ato që mund të mbjellin frike e kërcënim te kushdoqoftë”, ka thënë Mushkolaj për Insajderin. /Insajderi.com