AAK reagon pas pezullimit të vendimit për “tiketat ngjitëse”

AAK reagon pas pezullimit të vendimit për “tiketat ngjitëse”

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas pezullimit të vendimit për “tiketat ngjitëse”, që sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, qytetarët do të duhej të paguanin nga pesë euro shtesë kur bëjnë regjistrimin e veturës.

Sipas AAK-së, pezullimi i kësaj marrëveshje është bërë për shkak të “reagimit të fortë opozitar dhe të shoqërisë civile”, përcjell Insajderi.

“Pezullimi i marrëveshjes për tiketa ngjitëse, me të cilën ngarkoheshin qytetarët që posedojnë automjete, jo në dobi të buxhetit por të një kompanie private, është tregues i qartë se arroganca e numrave nuk kryen punë përball një reagimi të fortë opozitar dhe të shoqërisë civile”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Tutje, nga AAK-ja e kanë quajtur Qeverinë Kurti të mashtrimit, teksa kanë thënë se e njëjta nuk ka arritur të qëndrojë para “presionit të drejtë”.

“Qeveria e mashtrimit, megjithëse mobilizoi sejmenët e saj për ta arsyetuar vendimin e dëmshëm, nuk arriti të qëndrojë para presionit të drejtë, kundër kësaj padrejtësie që dëshironte t’ia servonte qytetarëve të vendit. AAK dhe kryetari Haradinaj, kanë qenë shumë të zëshëm për këtë vendim por edhe për shumë vendime të tjera të padrejta të kësaj qeverie. Dështimet e qeverisë shihen gjithandej e zhgënjimi është në rritje”.

Në fund, AAK konsideron që edhe pse taksa është anuluar, Prokuroria duhet të bëj hetimet për këtë “marrëveshje të dëmshme, ku një kompanie me 3 punëtorë u tentua t’i ipeshin miliona euro nga xhepat e qytetarëve të Kosovës”.

Për këtë kontratë të nënshkruar, opozita ka kritikuar Qeverinë Kurti, se përmes kësaj takse 4.90 euro dëshirojnë “të krijojnë monopole”.

Por, jo veç opozita parlamentare, edhe Partia Socialdemokrate ishte aktive në kundërshtim. Organizuan aksion simbolik që eskaloi në dhunë e arrestime.

Ndërsa, Qeveria gishtin e ka drejtuar te pushtet e kaluara, duke thënë se vendimi ishte “trashëgimi”./Insajderi.com