Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Xhafer Gashi, ka thënë se kjo parti nuk do të bëjë koalicion parazgjedhor me asnjë tjetër dhe se do të futet e vetme në zgjedhje, transmeton Insajderi.
Gashi tutje tha se qëndrimi i Këshillit Drejtues është që AAK të garojë e vetme në zgjedhje.
“Po tash mbetet të shihet verdikti i Gjykatës, verdikti përfundimtar dhe besoj që subjektet janë përgatitë që të shkojnë në zgjedhje. Aktualisht qëndrimi i këshillit drejtues të AAK-së është që të rrugëtoj vet, Aleanca pas zgjedhjeve do të shohim pastaj se si do të zhvillohet.. jo (nuk do të ketë koalicion parazgjedhor)”, ka thënë Gashi për KP.
Ai ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka nxjerrë kryetarin e saj, Ramush Haradinaj, si kandidat për president pasi që e kanë vlerësuar të denjë për atë pozitë, duke vlerësuar edhe të kaluarën e tij.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në këtë rast kryesia e Këshillit Drejtues e ka nxjerrë një propozim, kandidat që ne e vlerësojmë që është i denjë për të udhëhequr me vendin dhe duke e llogaritur edhe të kaluarën e tij dhe njëherë për njëherë subjektet e tjera nuk kanë ofruar një kandidat”, deklaroi Gashi. /Insajderi.com