fbpx

AAK: Sot u kuptua arsyeja e dorëheqjes së Donika Kadaj-Bujupit

AAK: Sot u kuptua arsyeja e dorëheqjes së Donika Kadaj-Bujupit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se aderimi i ish shefes së grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi në Lëvizjen Vetëvendosje, ka hedhur në dritë mbi arsyen e dorëheqjes së saj nga kjo parti.

Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj i ka thënë Insajderit se dorëheqja e Kadaj-Bujupit nga AAK-ja pa asnjë paralajmëron duket se është bërë për arsye të anëtarësimit në VV.

“Po shihet se më herët është planifikuar aderimi i saj, por megjithatë nuk e komentojmë më tepër se ajo nuk është anëtare e jona”, ka thënë Nitaj për Insajderin.

Të dy partitë opozitare që për afro një vit kanë qenë së bashku si Opozitë e Bashkuara janë ndarë përfundimisht së voni pas mosmarrëveshjeve rreth krijimit të listës së përbashkët zgjedhore, të cilës sipas VV-së do të duhej t’i printe Albin Kurti ndërsa sipas AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kadaj-Bujupi kishte dhënë dorëheqje nga AAK në fund të marsit pikërisht në kohën kur mosmarrëveshjet mes dy partive opozitare nisën të dalin në shesh.

Por Kadaj-Bujupi nuk e kishte përmendur vendimin e saj për të aderuar në VV por në vend të kësaj kishte thënë se po largohet nga AAK-ja për shkak të vendimeve të njëanshme në parti.

E ish lideri i saj, Ramush Haradinaj, kishte thënë se Kadaj-Bujupi nuk e kishte dërguar së paku as një mesazh telefonik për të sqaruar arsyet e largimit të saj nga partia e tij.

Sot Kadaj-Bujupi ka thënë se ka aderuar në VV për hir të parimeve dhe ka qenë një zgjedhje mes paqes dhe drejtësisë.

“Unë u përcaktova për drejtësinë dhe mu për këtë sot jam këtu në mesin tuaj”, ka thënë Kadaj-Bujupi gjatë fjalimit të saj në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, të mbajtur sot.