AAK vazhdon lobimin për Haradinajn president

AAK vazhdon lobimin për Haradinajn president

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po vazhdon lobimin që kreu i saj, Ramush Haradinaj të jetë president i ri i vendit, njofton Insajderi.

Ministri i Drejtësisë nga radhët e kësaj partie, Selim Selimi, është shprehur se Haradinaj është një vlerë e shtuar që përbën denjësisht një kandidat për president.

Ai ka thënë se Haradinaj është person unifikues dhe se këtë, sipas tij e ka dëshmuar edhe në dy mandatet që ka pasur si kryeministër.

“Unë kam punuar në presidencë më herët, andaj i di mirë kushtet formale për të qenë president. I di nenet e Kushtetutës. Por, e di mirë gjithashtu se nevojitet një vlerë e shtuar. Ajo ka të bëj me dimensionin e karakterit dhe lidershipit. Presidenti është unifikues, Ramush Haradinaj ka qenë gjithmonë unifikues edhe i spektrit politik të brendshëm, por edhe të jashtëm”.

“Presidenti duhet të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve. Gjatë dy mandateve të Haradinajt si kryeministër kemi pasë një garantim të këtij funksionimi”, ka thënë Selimi në një video-mesazh të publikuar në Facebook, në faqen e Grupit Parlamentar të AAK-së.

Ndërkohë, Ramush Haradinaj ambiciet e tij për postin e presidentit i ka shpërfaqur tashmë disa herë, madje edhe duke paralajmëruar se do të largohet nga koalicioni qeverisës, nëse nuk zgjedhet në këtë pozitë.

Por, kandidaturën e tij për president nuk po e përkrahin subjektet e tjera politike, teksa Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se për president do ta votojë vetëm kandidatin e saj./Insajderi.com