Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka zëvendësuar emrat e tre kandidatëve për deputetë të cilëve nuk i’u është lejuar kandidimi për shkak të problemeve me ligjin.
Kështu ka bërë të ditur lideri i partisë, Ramush Haradinaj, i cili tha se po presin që Paneli Zgjedhor për Aneksa dhe Parashtresa ta certifikojë listën e plotë.
“Ne kemi propozuar tre zëvendësime në listë edhe po ashtu kemi shpjeguar situatën me doktor Dreshaj që ka kaluar afatin tre vjeçar. Ne presim sot që të certifikohet lista jonë. Sido që të jetë, nëse jo, ne do të ndjekim rrugët ligjore për t’u ankuar në Gjykatën Supreme”, tha Haradinaj, gjatë vizitës në ndërmarrjen “Higjiena” në Deçan.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, sot (e martë) duhet të vendosë për ankesat e partive politike për moscertifikimin e listave me kandidatë për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./Insajderi.com