Abazi: Ndryshimi në politikë ndodhi, tash duhet në media dhe OJQ

Abazi: Ndryshimi në politikë ndodhi, tash duhet në media dhe OJQ

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, deklaroi të premten se ndryshimi ka ndodhur në sferën politike dhe se sipas tij, radhën e kanë mediat dhe organizatat joqeveritare, njofton Insajderi.

Sipas tij, për t’u bërë ky ndryshim nevojitet ndërhyrja e gjykatës si dhe ligj i drejtë e funksional.

“Ndryshimi duhet të ndodhë edhe në sferën e mediave dhe OJQ, përkatësisht në llojin e debatit që zhvillohet duke i ndihmuar progresit të gjithmbarshëm. Pengesa e vetme për progres mund të jetë stërkeqja dhe ndërskamcat që vendosen me qëllim të krijimit të sensit të urgjencës  që të shkaktohet zhgënjim dhe të pengohet evolucioni politik.

Përtej zhurmës shurdhuese të atyre që as nuk e donin ndryshimin dhe ishin pjesë e një etape dy dekadshe që ka përfunduar. Kjo që ka filluar nuk mund të jetë mjaltë sepse është një grumbull, mal me të këqija që janë shtresuar e vazhdojnë të transformohen në klimën e re të krijuar. Shansi është i madh, më i madh se pritjet që kemi, por duhet punë dhe dije, dhe largim nga metodat dhe mendësia e kaluar. Mospajtimi konstruktiv, debati për çështjet dhe thellimi në ide e praktika të progresit duhet konsideruar vlerë e kontribut i domosdoshëm”, ka shkruar Abazi në profilin e tij në Facebook./Insajderi.com