Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se Qeveria është në kërkim të njerëzve që do ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrë të dinjitetshme në arenën ndërkombëtare, shkruan Insajderi.
Abazi këtë komente i bëri pas largimit të 13 ambasadorëve nga misionet diplomatike në vende të ndryshme të botës.
Ai tha se “sistemi politikë është i tillë që në momentin që qeveria shkarkohet, largohen edhe të emëruarit politikë. Diplomatët e karrierës janë të tillë që qëndrojnë pavarësisht ndryshimeve politike, por ambasadorët e emëruar politikë vet e kanë marrë rrezikun që me ndryshimin e qeverisë ndryshohen edhe ata”.
Deputeti i LVV-së në “Debat Plus”, ka thënë se është shumë e rëndësishme që Kosova të përfaqësohet diplomatikisht në vendet e rëndësishme nga ku mund të ketë edhe investime.
“Nuk kemi përfaqësi në Danimarkë që është shumë me rëndësi. Nuk kemi përfaqësi as në Holandë. Nuk kemi përfaqësi diplomatike as në Pakistan, i cili është vend ku janë të gjitha përfaqësitë e vendeve të fuqishme islamike. Pakistani është vend që na ka përkrahur që nga dita e parë në rrugën tonë të pavarësisë”, tha ndër të tjera Haki Abazi./Insajderi.com