Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se Serbia refuzon ta sheh Kosovën si palë të barabartë, shkruan Insajderi.
Ai ka thënë se serbët mund të pranojnë gjithçka por nuk mund t’i shohin shqiptarët të barabartë me ta.
“Serbia refuzon që ta sheh Kosovën dhe përfaqësuesit e saj në këtë rast kryeministrin si palë të barabarta. Kjo ka qenë historikisht. Serbët mund të pranojnë gjithçka por nuk mund t’i shohin shqiptarët të barabartë në dialog”, ka deklaruar ai në ‘KK’.
Abazi tha se Serbia po vazhdon si në të kaluarën qe të konsiderohet Kosova më pak sesa që është pra më pak se shtet dhe duan që të hynë në marrëveshje mes dy shteteve të barabarta.
“Ajo që është e qartë është se ata duan të vazhdojnë si në të kaluarën që të konsiderohet Kosova më pak sesa që është, pra më pak se shtet. Por, institimi nga ana e Kosovës duhet të vazhdojë sepse ne kemi shpallur shtetin e kemi integritetin tonë territorial e kemi Kushtetutën”, ka pohuar ai.
Ai më tej, ka pohuar se tani është e qartë që koncepti i barazisë kërkon nënshkrim ndërmjet shteteve të barabarta.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka propozuar sërish që të nënshkruhet një Deklaratë e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo është refuzuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq pa u lexuar fare.
Në një konferencë për media, Kurti shtoi se një gjë e tillë tregoi mosgatishmëri për marrëveshje, duke treguar edhe se kanë përmendur disa pika që paraqesin barrierat që Serbia i vendosë ndaj Kosovës në aspektin tregtar, por që pala tjetër as këtë çështje nuk dëshiruan ta diskutojnë.
“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene, ose Deklaratë të Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua. Atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar e kam përgatitur në mënyrë të balancuar me një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar. Kjo tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje pasi u refuzua pa u lexuar fare”, ka thënë ai./Insajderi.com