Abbott për sulmin ndaj djalit të Rashiqit: Disa politikanë në Kosovë po promovojnë kulturë të urrejtjes

Abbott për sulmin ndaj djalit të Rashiqit: Disa politikanë në Kosovë po promovojnë kulturë të urrejtjes

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka reaguar pas sulmit që iu bë djalit të politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq, njofton Insajderi.

Abbott ka thënë se disa politikanë  në Kosovë janë duke promovuar një kulturë të urrejtjes e frikës brenda komuniteteve të caktuara.

Me anë të një postimi në Facebook, Abbott thotë se Ambasada Britanike dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, ka një kohë që kanë kërkuar një debat politik më të qetë, më të arsyeshëm dhe më pak personal.

“Sulmi i djeshëm ndaj djalit të Nenad Rashiqit, është perceptuar si një akt politik. Ambasada Britanike dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, për ca kohë, kanë kërkuar një debat politik më të qetë, më të arsyeshëm dhe më pak personal”, ka thënë ai.

“Disa politikanë kanë promovuar një kulturë të urrejtjes dhe frikës, mosbesimit dhe tradhtisë, brenda dhe nëpër komunitete të ndryshme”.

Ne bëjmë përsëri thirrje që kjo të ndalet. E gjithë klasa politike dhe mediat duhet të reflektojnë pasi duke lejuar që një kulturë e tillë të vazhdojë, njerëzit mund të vihen në rrezik”, shkruan Abbott.

Dje rreth orës 12:00 në afërsi të shkollës në fshatin Llapnasellë të Graçanicës një grup prej rreth 30 personave e kanë sulmuar fizikisht djalin e ish-ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.

Policia e Kosovës ka arrestuar tetë persona për këtë rast, ku të dyshuarit me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë. /Insajderi.com