Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka emëruar Zëdhënëse Politike të LDK-së, Sibel Halimin njofton Insajderi.
Ky emërim sipas LDK u bë “me qëllim të thellimit dhe avancimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit me mediet, në shërbim të transparencës dhe informimit të drejtë të publikut, si dhe prezantimit të qëndrimeve politike”, thuhet në njoftim.
Halimi është doktorante në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës dhe përveç si anëtare e LDK -së, është edhe sociologe e poete.
“Deri tash ka të botuar tre libra me poezi: “Kopshti i Mëkateve” (2002), “Qenia nuk banon këtu” (2013), “Me ekzistu është vetë kuptimi” si dhe përmbledhjen eseistike “Shoqëri në Alarm” (2017)”.
Në njoftim tutje thuhet se ajo merret aktivisht me trajtimin e problemeve socio-filozofike, ndërkohë që shkrimet e saj janë botuar në periodikun shqip e të huaj.
Ndër të tjera u theksua se, ajo njihet si veprimtare e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë për të drejtat e grave dhe vajzave.
“Lidhja Demokratike e Kosovës pret dhe fton për një bashkëpunim të nevojshëm me mediat dhe me publikun”, ka përfunduar komunikata e LDK-së. /Insajderi.com