Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se partia të cilën e drejton 17 tetorin do ta kujtojë me krenari, sikurse e kujtojnë 14 shkurtin si mësim, njofton Insajderi.com.
Kështu është shprehur ai në një postim në Facebook, ku u deklarua pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe rezultatit preliminar.
Abdixhiku tha se populli i Kosovës vlerëson drejtë – duke larguar nga pozitat qeverisëse kur nuk punohet drejtë dhe duke i vënë në ato pozita atëherë kur duhet – gjë që sipas tij shënon vlerën më të madhe të demokracisë.
“Si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari; siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim. Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë – dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë”, ka shkruar ai.
I pari i LDK-së më tej ka uruar të gjithë kandidatët e partive për fushatën e bërë dhe të gjithë fituesit e deritanishëm.
“I uroj të gjithë kandidatët e të gjitha partive për fushatën e bërë; në veçanti i uroj të gjithë fituesit e deritanishëm – me shpresë shumë se do të shërbejnë me dinjitet e përkushtim ndaj secilit qytetar në komunat tona e të tyre padallim”.
“Prandaj të punojmë për raundin e ri; e të qëndrojmë kokëulur por krenarë përballë qytetarëve tanë. Besimin e tyre duhet ta kujdestarojmë me plot kujdes si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Politikën duhet ta shohim vetëm si përgjegjësi”, ka shkruar më tej ai. /Insajderi.com