
Anëtari i ri Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumri Abdixhiku, është zotuar publikisht se do të punojë në çkapjen e shtetit.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se çkapja është qëllimi i tij politik .
“Që LDK e ardhshme të angazhohej për front anti-kapje e agjendë evropiane. Që çkapja të ishte qëllimi i pakontestuar i ekzistencës politike, bashkëjetesa me kapës asnjëherë alternativë, e angazhimi për zhvillim ekonomik të jetë synim i pazëvendësueshëm. Në një mision të tillë do të provonim ndërtimin e fronteve me grupime politike që kanë këtë për qëllim primar”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka treguar se në Lidhjen Demokratike të Kosovës është futur mbi këto dy parime: e para unifikimin e garimit me njerëz të mirë dhe e dyta për çkapjen e shtetit.
Ai është shprehur se politika do të jetë pjesë e angazhimit të përditshëm të tij.
“Për mua, marrja pjesë në zgjedhje s’është qëllimi në vete. Për mua, politika do të jetë pjesë e angazhimit të përditshëm. Ndjekja e saj duhet të ketë përkushtim e vizion afatgjatë, mbi të gjitha duhet të ketë kurriz. Do të provoj të bindë gjithsecilin, përkrahës e kundërshtarë, se mbi parime të mbara e drejta, do të bëjë këtë angazhim”. /Insajderi.com