Abdixhiku: Do të jemi në seancë kur të votohet Osmani presidente

Abdixhiku: Do të jemi në seancë kur të votohet Osmani presidente

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka konfirmuar se deputetët e kësaj partie do të jenë prezentë në seancën e Kuvendit, kur Vjosa Osmani të votohet për presidente, njofton Insajderi.

Ai është shprehur se LDK-ja nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit.

Këto deklarata i pari i LDK-së i ka bërë të martën, pas takimit që ka zhvilluar me përfaqësuesit e partisë së tij në Kuvendin e Kosovës.

“Për të dhënë zgjidhje e stabilitet kam diskutuar në tri takime. Të parin me Kurtin e Osmanin e të dytin vetëm me Osmanin. Me të kemi biseduar për dialogun e rendin kushtetues. Kemi diskutuar për relacionet me miqtë tanë ndërkombëtarë e pavarësinë e gjyqësorit. Për pozitën apolitike e apartiake të zonjës Osmani. Këto biseda ua kam prezantuar organeve të partisë dhe kemi marrë vendim që LDK-ja nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentin, por të marr pjesë në seancë”, ka deklaruar Abdixhiku para mediave.

Vjosa Osmani është kandidatja e vetme për presidente të vendit. Ajo në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka garuar në listë të përbashkët me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo e fundit ka arritur të marrë mbi 50 për qind të votave, ndërsa Osmani ishte më e votuara me mbi 300 mijë.

Për të zgjedhur presidentin, në votimin e tretë duhet të jenë 80 vota minimum, me 61 prej tyre pro një kandidati. Vetëvendosje ka 58 vota, ndërsa pritet t’i ketë edhe 8 të tjera nga minoritetet jo shumicë. Bashkë me to, i duhen minimum 14 vota nga LDK-ja për të siguruar kuorumin e nevojshëm./Insajderi.com