Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka bërë ftesë publike kryetarëve të tri partive politike më të mëdha në vend, që të shkurtohet fushata për zgjedhjet lokale, nga 30 në 10 ditë.
Duke iu drejtuar Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje, Memli Krasniqit nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Abdixhiku ka bërë thirrje që “t’i kapërcejmë dallimet e të ndërtojmë një pakt zgjedhor”.
“Ta bartim përballjen politike nga terreni ku grumbullojmë zakonisht me qindra e mijëra njerëz përnjëherë, në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook.
“Të udhëzojmë të gjithë kandidatët tanë, që çdo aktivitet paraelektoral e elektoral nga sot e deri më 17 tetor, ta bëjmë konform rregullave strikte të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Pra të kemi njerëz aq sa lejohet, të respektohet distanca, e të respektohen masat e tubimeve të vogla siç udhëzohemi nga ekspertët tanë”./Insajderi.com