Abdixhiku kërkon të hetohet marrëveshja për “taksën ngjitëse”

Abdixhiku kërkon të hetohet marrëveshja për “taksën ngjitëse”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë marrëveshjen e nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Liburn Aliu për nënshkrimin e kontratës për “taksën ngjitëse”, njofton Insajderi.

Sipas kontratës, nga 1 shtatori qytetarët janë të obliguar të paguajnë nga 4 euro e 90 cent kur bëjnë regjistrimin e veturës. Sipas Qeverisë aktuale, ajo ndikon “në evidentimin e lehtë të automjeteve në komunikacion”.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku është shprehur se po të ishte ministër, do të refuzonte të nënshkruante një kontratë të tillë, pasi sipas tij, është shpërdorim i panevojshëm i parasë publike.

“E ftoj prokurorinë – që të ndërpresë misionet me direktiva politike para zgjedhjeve lokale – se s’i bëjnë punë; e të hetojnë këtë shpërdorim 2 milionësh që ju ndodhë para syshë. Mos keni frikë nga asnjë pushtet”, ka shkruar ai.

I pari i LDK-së po ashtu ka kritikuar pushtetin aktual se “ka përdorur dhunë, dhunë policore ndaj kundërshtarëve politikë”, duke komentuar arrestimin e aktivistëve të Partisë Socialdemokrate gjatë një aksioni të zhvilluar të premten. Ata në vetura zyrtare shkruan “zhvatësit” duke iu referuar kontratës në fjalë.

“U jap të drejtë e mbështetje protestuesve të sotëm pa hezitim. Kritika e tyre është e drejtë. Bëhet kundër një plaçke publike – barrë e paarsyeshme për secilin qytetar në vend. Një kompanie tre punëtorëshe i jepet dhuratë 2 milionëshe nga pushteti që mirëmbanë avazin korruptiv”./Insajderi.com