Abdixhiku kritikon Kurtin: Për tre ditë 44 vdekje, kjo s’është normale

Abdixhiku kritikon Kurtin: Për tre ditë 44 vdekje, kjo s’është normale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti, lidhur me menaxhimin e pandemisë, njofton Insajderi.com.

Përmes një postimi, Abdixhiku u shpreh se Kosova është vend i vogël që t’i ketë 44 vdekje në tre ditë, duke thënë se katër të rinj e të reja janë shuar në tre ditë nga variant i ri.

“Jemi vend i vogël për t’i pasur 44 vdekje në tre ditë. Jemi vend i vogël për t’i përballuar si hiçgjë 44 tragjedi familjare nëpër Kosovë. Katër të rinj e reja, në të njëzetat, janë shuar në tre ditë nga varianti i ri”, shkroi ai.

Tutje, ai tha se kjo gjendje nuk është normale, teksa shtoi se qeveria po vazhdon të sillet sikur nuk po ndodhë asgjë.

“Qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk po ndodhë; sikur asgjë s’kanë në dorë. 17 të vdekur pardje, 13 dje, 14 sot. E meqë s’po merren me pandemi, çfarë po bëjnë të gjithë aty? Me çka e kalojnë kohën një ushtri pushtetarësh dje e sot – në ditët kur na vdesin plot 44 qytetarë? Ekspozitat e pikturave të Hotelit Grand e simpoziumet gjuhësore – me të cilat duket se Kryeministri megjithatë gjenë kohë – mund të presin pak”.

“Në vend të tyre duhet të prijë. Bashkë me ministrin e Shëndetësisë mëngjes e mbrëmje me çdo kapacitet shtetëror vetëm me pandemi – në spitale, inspektorat, polici e Qeveri. Barabartë me mijëra mjekë që po ballafaqohen me pandemi e me 24 mijë të infektuar që i kemi aktualisht, Asgjë tjetër s’ka sot më shumë rëndësi. Asgjë!”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë shënuar 14 vdekje dhe dy mijë e 541 raste të reja me COVID-19. /Insajderi.com