Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pretendon se partia që ai drejton ka fituar tetë komuna në zgjedhjet komunale të këtij viti.
Abdixhiku, përmes postimit në Facebook, thotë se do të jenë fitues edhe në Dragash, pas numërimit të votave nga diaspora, shkruan Insajderi.com.
“LDK në këto zgjedhje ka fituar Prishtinën, Pejën, Lipjanin, Istogun, Fushë Kosovën, Vitinë, Junikun – dhe pas përfundimit të votave të mërgatës, do të fitojë dhe Dragashin. Fitorja në 8 komuna me kryeqytet, i mbi 170 mijë votave për asamble është arritje e madhe, jashtëzakonisht e madhe nga ku jemi nisur. Për këtë mburremi të gjithë. Për këtë ndihemi të përmbushur të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.
Më tutje, ai siguron se vendin e pret një e ardhme më e ndritur, ndërsa, falënderojë mbështetësit e LDK-së.
“LDK do të vazhdojë punën në rrugën e rigjetur. Me njerëz më shumë, punë më shumë, bashkëudhëtim më shumë. Një e ardhme e ndritur na pret përpara. Për këtë të mbetemi të sigurt. Në fund, nga zemra, një falënderim për të gjithë aktivistët e aktivistet e LDK-së, shtëpisë sonë politike, që na dhanë shtytjen e nevojshme përgjatë muajve të fundit. Me ju, çdo rrugëtim është i mundshëm!”, përfundon Abdixhiku.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, LDK-ja ka fituar në shtatë komuna.
Në Dragash udhëheq kandidati i PDK-së, Shaban Shabani me 5.648 vota apo 50.21 për qind, vetëm 47 vota më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini, që ka 5.601 vota apo 49.79 për qind./Insajderi.com