
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se të mërkurën ose të enjten do të takohet me kryetarin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, për të diskutuar lidhur me votimin e tij për kandidaten për Presidente të Kosovës, Vjosa Osmani, njofton Insajderi.
Kështu tha ai në emisionin ‘Debat Plus’ të RTV Dukagjinit, derisa u pyet nëse është takuar me Pacollin për këtë çështje për të cilën kryesia e LDK-së është mbledhur sot.
“Nuk jam takuar me z.Pacollin meqë ka qenë jashtë vendit, por do të takohem nesër ose pasnesër me të për të diskutuar për votën e tij”, ka thënë Abdixhiku.
Behgjet Pacolli është i vetmi nga AKR i cili ka arritur të marrë postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, pas garimit brenda listës së LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit. /Insajderi.com