Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abixhiku në një konferencë për shtyp ka deklaruar se vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji është diskriminues për qytetarët.
Ka pohuar se do nis mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për energjinë.
Ndërkaq ka kërkuar që bordi i ZRRE-së të shkarkohet ngase nuk ka treguar profesionalizëm në punën e tyre. Sipas tij me këtë vendim janë dëmtuar 125 mijë familje kosovare.
“Qytetarëve tanë po u rritet energjia 100 përqind dhe ku po preken 125 mijë qytetarë. Do të mbledhim 40 nënshkrime për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme dhe do të kërkojmë shkarkimin e bordit”, është shprehur ai.
Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se me kohë nuk ka planifikuar masat kur ishte paraqitur kriza energjetike dhe si pasojë kemi edhe humbje të mjeteve financiare nga buxheti i shtetit.
Thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke treguar arrogancë për shkak të numrave që i ka në Kuvend.
“Për shkak të paaftësisë së kësaj Qeverie ne kemi miliona euro të djegura subvencione. Pushteti refuzoj që të diskutoj për shkak se nuk po e duron debatin dhe meqë refuzuan diskutimin ne refuzuam që të qëndrojmë në seancë”, ka thënë ai.
Ndryshe vendimi i ZRRE-së parasheh që ata konsumator të cilët shpenzojnë 800 kilovatë në orë nuk do të preken nga shtrenjtimi i rrymës. Kurse ata të cilët shpenzojnë deri 1 mijë kilovatë në orë do të paguajnë 10 euro më shumë në muaj. /Insajderi.com