Abdixhiku: Nga vendimi i ZRRE-së dëmtohen 125 mijë familje kosovare

Abdixhiku: Nga vendimi i ZRRE-së dëmtohen 125 mijë familje kosovare

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abixhiku në një konferencë për shtyp ka deklaruar se vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji është diskriminues për  qytetarët.

Ka pohuar se do nis mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për energjinë.

Ndërkaq ka kërkuar që bordi i ZRRE-së të shkarkohet ngase nuk ka treguar profesionalizëm në punën e tyre.  Sipas tij me këtë vendim janë dëmtuar 125 mijë familje kosovare.

“Ndryshimet simbolike të ZRRE-së injorojnë brengat e qytetarëve tanë. Vendimi i ZRRE-së është vetëm mjet kaumflimi i vendimit qytetar. Diferenca nga 600 kilovatë në orë në 800 kilovatë në orë është diferencë simbolike”

“Qytetarëve tanë po u rritet energjia 100 përqind dhe ku po preken 125 mijë qytetarë. Do të mbledhim 40 nënshkrime për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme dhe do të kërkojmë shkarkimin e bordit”, është shprehur ai.

Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se me kohë nuk ka planifikuar masat kur ishte paraqitur kriza energjetike dhe si pasojë kemi edhe humbje të mjeteve financiare nga buxheti i shtetit.

Thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke treguar arrogancë për shkak të numrave që i ka në Kuvend.

“Për shkak të paaftësisë së kësaj Qeverie ne kemi miliona euro të djegura subvencione. Pushteti refuzoj që të diskutoj për shkak se nuk po e duron debatin dhe meqë refuzuan diskutimin ne refuzuam që të qëndrojmë në seancë”, ka thënë ai.

Ndryshe vendimi i ZRRE-së parasheh që ata konsumator të cilët shpenzojnë 800 kilovatë në orë nuk do të preken nga shtrenjtimi i rrymës. Kurse ata të cilët shpenzojnë deri 1 mijë kilovatë në orë do të paguajnë 10 euro më shumë në muaj. /Insajderi.com