Abdixhiku: Normalizim i jonormales, Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë

Abdixhiku: Normalizim i jonormales, Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë.

Abdixhiku e tha këtë përmes një postimi në Facebook, duke u mbështetur në atë që sipas tij, situate në veri të Kosovës është duke u bërë e zakonshme.

“Normalizimi i jonormales. Albin Kurti tashmë ka rënë në kurthin e Serbisë. Ai s’mund as të krijojë stabilitet e as të ushtrojë sovranitet në veri. Ai sot nuk ka as edhe një plan shtetëror për të ballafaquar gjendjen në veri. Barrikadat e grupeve kriminale po bëhen tashmë të zakonshme, siç po bëhet i zakonshëm dhe moszëvendësimi i qindra policëve të dorëhequr, prokurorëve, gjyqtarëve e punëtorëve administrativ në veri që s’ushtrojnë detyrat pa të cilat shteti nuk ka përfaqësim”, shkroi Abdixhiku.

Abdixhiku tha se Kosova është në ‘vakum’ administrative.

“Për më tepër, sot Kosova as nuk ka institucione shtetërore në veri e as që mund të organizojë zgjedhje demokratike për t’i zgjedhur këto institucione aty. Pra jemi në vakum administrativ. Nëse ishte keq e rëndë në Veri, sot është dhe më keq e edhe më rëndë se që ishte paraprakisht. Kjo është e vërteta në veri dhe këtë të vërtetë institucionet e Kosovës s’mund ta lejojnë të normalizohet tani”.

Lideri i partisë opozitare  thotë se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë.

“Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë. Nga aty të koordinojë çdo hap të ardhshëm me aleatë për të kthyer rendin e ligjin në veri. Sjellja e vonuar, apo e pakoordinuar, është vazhdimësi e rënies në kurthin e Serbisë”.

Sot u bënë dhjetë ditë që nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës.

Barrikadat janë vendosur që nga 10 dhjetori si kundërpërgjigje ndaj autoriteteve kosovare pas arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq i cili është i dyshuar për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.

Në këtë gjendje gjeopolitike të Kosovës, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë qenë në Kosovë ku janë takuar me krerët e shtetit.

Lajçak ka thënë se tensionet nuk i ndihmojnë askujt, ndërsa Escobar ka thënë që pret të implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Pas takimit me krerët e Qeverisë së Kosovës, ndërkombëtarët kanë qëndruar  edhe në Serbi për të diskutuar lidhur me situatën aktuale në mes dy vendeve.

Vlen të theksohet se tek barrikadat në veri të Kosovës, ka edhe persona të armatosur.

Gjatë ditës së djeshme disa serbë nga Mali i Zi, dhe Serbia kanë tentuar që të hyjnë në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinje, por që janë penguar nga policia serbe.

Në protestë ka pasur një përplasje në mes policisë dhe serbëve derisa ata janë penguar nga kordoni i dytë i tyre.

Në mesin e këtyre personave ka qenë edhe udhëheqësi i “Ljubav, Vera Nada”, Nemanja Saroviç, si dhe Damjan Knezeviç, kreu i Patrullave të Popullit.

Njëri nga serbët që ishte mysafir i grupit të mercenarëve në Rusi, thuhet se është organizatori i grumbullimit të serbëve në veri të Kosovës.

Në një postim të IstragaB, dëgjohet zëri i Damnjan Knezheviqit duke thënë se duhet të shihet se sa njerëz janë gati të shkojnë në Jarinje.