Abdixhiku nuk pajtohet me konstatimet e Qeverisë se ekonomia e vendit po rritet

Abdixhiku nuk pajtohet me konstatimet e Qeverisë se ekonomia e vendit po rritet

Opozita nuk është duke u pajtuar me konstatimet e Qeverisë se në Kosovë ka pasur rritje ekonomike.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se ekonomia e Kosovës nuk është në rritje ashtu siç pretendon Qeveria e Kosovës.

“Buxheti rritet për çdo vit për 10 përqind. Kur flitni për rritjen e eksportit duhet të flisni edhe që importi është rritur në 4.6 miliardë. Nuk po rritet baza jonë prodhuese  dhe deficiti tregtar është i njëjtë” ka thënë Abdixhiku.

Ka kërkuar nga Qeveria të aplikojë disa lehtësira të cilat do të ndikojnë në uljen e çmimeve.

“Po përballemi me rritje të çmimeve kërkojë nga Qeveria një pako që e zbut këtë përkohësisht. Nëse çmimi i naftës mbetet i njëjte dhe ju vazhdoni të merrni taksa 36 cent akcizë dhe 18 përqind TVSH.  A po e  rëndoni më shumë gjendjen në ekonomi dhe treg”, ka pyetur Abdixhiku.

Ndërkaq deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar që të sjellët për miratim projektligji i pagave.

“Shyqyr që është rritur ekonomia mirëpo merr vendime. A e dini që paga minimale është 170 euro nga viti 2011.  Të gjitha produktet ushqimore janë  rritur. A e dini që keni thënë që e sjellin ligjin në mars. A jeni tu e pa që shtresën e mesme po doni me kthy në të varfër dhe të varfrit po dojnë me lëshu Kosovën”, është shprehur Tahiri.

Ndërkaq kryeministri Kurti ka replikuar me opozitarët ku ka përmendur sukseset pasi në periudhën 1 vjeçare të qeverisjes nuk ka pasur skandale.

Ai ka thënë se qytetarët janë duke parë këtë ecuri pozitive dhe për këtë shkak ka ndodhur edhe rritja ekonomike prej 9.9 përqind.

“Njerëzit më parë shpenzojnë sesa kursejnë kur kanë shpresë. Kur besojnë që e ardhmja është më e mirë se e tashmja. Të hyrat doganore dhe të ATK-së janë rritur”

“Ata të cilët i përmendin Zvicrën dhe Gjermaninë sigurisht që ky është modeli që ne e duam. Mirëpo modeli i tyre nuk na sjell automatikisht në nivelin e tyre. Modeli dhe niveli janë dy gjëra të ndryshme” ka thënë ai. /Insajderi.com