Abdixhiku për kandidaturën e Mustafës: Nuk na tregoi asgjë, e kuptova të nesërmen në media

Abdixhiku për kandidaturën e Mustafës: Nuk na tregoi asgjë, e kuptova të nesërmen në media

Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kandidati tjetër për të njëjtin post në këtë parti, Besian Mustafa, nuk e kishte bërë të ditur fare se edhe ai do t’i bashkëngjitej garës për të parin e LDK-së, transmeton Insajderi.

Ai thotë se kandidaturën e Mustafës e ka kuptuar në media.

I ftuar në emisionin ‘Rubikon’ të Klan Kosovës, Abdixhiku ka komentuar raportin që ka me konkurrentët tjerë të tij për të marrë postin e kryetarit të subjektit që përfaqësojnë.

”Jam takuar para kandidaturës së tij, kemi pasur një bisedë. I kam treguar për projektet e mia, nuk më ka treguar se do të kandidojë, të nesërmen e kam kuptuar në media”, ka thënë ai.

Abdixhiku shtoi se kandidatura e tij nuk është e befasishme, ndërkaq uron që të jetë e vërtetë dhe jo për qëllime të avancimit individual.

”S’është e befasishme, është legjitime. Veç uroj që këto kandidatura të jenë të vërteta. Që të mos jenë për qëllime avancime individuale. Nuk janë kandidatura për të ngritur hisen e dikujt, sepse s’do të ketë, do të ketë punë ekipore”, ka thënë ai. /Insajderi.com