Përkundër se para dy ditësh ia paraqiti dorëheqjen kryeministrit Haradinaj, Abelard Tahiri ka konfirmuar se do ta vazhdojë punën si ministër.
Pas deklaratave të Veselit, një gjë të tillë e ka thënë edhe vetë Tahiri.
Nëpërmjet një postimi në facebook ai ka shkruar se “sfidat janë evidente, mirëpo me përkushtim do të shtojmë rezultatet”.
“Kryefjala e angazhimit tim politik e institucional është fuqizimi i sundimit të ligjit dhe kontributi për një shtet dhe shoqëri moderne që udhëhiqet nga parimet më të ndritura të demokracisë dhe mundësive e trajtimit të barabartë për të gjithë. Sfidat janë evidente, mirëpo me përkushtim dhe dinamikë të shtuar do të shtojmë edhe rezultatet”, ka shkruar në facebook ministri i Drejtësisë.
Spekulime për dorëheqje pati edhe për Bedri Hamzën e Besim Beqajn. Por të gjitha këto i mohoi sot kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. /Insajderi.com