Skandali 2 milionësh

Abrashi: E kemi lajmëruar transaksionin e dyshimtë menjëherë pasi e kuptuam

Abrashi: E kemi lajmëruar transaksionin e dyshimtë menjëherë pasi e kuptuam

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, tha gjatë një konference për media se sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, më 19 tetor ka marrë informacionin për transaksionin e dyshimtë.

Vjedhja e 2.1 milionë eurove dyshohet të jëtë bërë nga një zyrtar i Thesarit në Ministrinë e Financave, por kishte përdorur linjat buxhetore të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Atë çka mundemi me iu siguru është se sekretari i përgjithshëm i MI-së, informatën për një transaksion të paligjshëm e ka pranuar me datën 19, si të dyshimtë menjëherë e ka lajmëruar tek Thesari dhe kur është vërtetuar se transaksioni ka qenë i tillë rasti ka vazhduar edhe në polici dhe tek organet e tjera të rendit”, tha Abrashi.

Ai tha se Ministria e Infrastrukturës është e dëmtuar nga kjo vjedhje, pasi nuk mund të kryen një numër i projekteve të rëndësishme për qytetarët.

“Ajo çka dihet është se informatën e ka marrë me 19 dhe atë ditë ka lajmëru të gjithë. Prandaj jemi këtu të largojmë këtë dyshim dhe të tregojmë se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë ata që po bëjnë hetimet, për të ofruar informata nga vetë procesi, apo edhe profesionale se si shkon ky proces i pagesave. MI është palë e dëmtuar dhe është dëmtu shumë, janë dëmtu taksat e qytetarëve dhe një numër i projekteve me rëndësi për qytetarët dhe zonat ku realizohen këto projekte”, shtoi Abrashi. /Insajderi.com