Abrashi me hapa konkretë për sanimin e akseve rrugore të rrezikshme

Abrashi me hapa konkretë për sanimin e akseve rrugore të rrezikshme

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me grupin punues të përbërë nga ekspertët e ministrisë dhe Policia e Kosovës, sot kanë parë nga afër vendet ku është i nevojshëm intervenimi për rritjen e sigurisë së qytetarëve në komunikacion.

Ai me këtë rast ka bërë të ditur se grupi punues ka bërë evidentimin e disa akseve rrugore me rrezikshmëri dhe ka dhënë rekomandimet në mënyrë që të bëhet sanimi.

“Grupi punues po vazhdon me evidentimin e akseve me rrezikshmëri dhe i kam marrë rekomandimet me shkrim në vendet ku duhet të intervenohet. Deri më tani janë 11 rrugë që janë evidentuar se duhet të intervenohet dhe shumë shpejt do të nisin punimet”.

Ai tha se vëmendja kryesore është krijimi i sigurisë për këmbësorët dhe sidomos për nxënësit dhe se do të intervenohet duke u bazuar në rekomandimet e grupit punues.

Grupi punues është themeluar nga ministri Abrashi me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, evidentimin e akseve të rrezikshme dhe ka qëllim uljen e aksidenteve me fatalitet. Puna e këtij grupi do të vazhdojë deri në evidentimin e të gjitha akseve që janë në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës./Insajderi.com